E Hënë, 2 Nëntor 2026

IRAN- Ministri i Jashtëm: Ftesa e presidentit amerikan për dialog, kontradiktore

DUBAI, 14 /ATSH/ – Ministria e Jashtme e Iranit kritikoi sot  thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump për dialog, duke e akuzuar Uashingtonin për “sjellje armiqësore dhe kriminale” pas deklaratave të tij në parlamentin izraelit, ku shprehu gatishmërinë për të arritur një marrëveshje me Teheranin, sipas “Reuters”.

Në një deklaratë, ministria tha se thirrja e Trump për paqe është në kundërshtim me veprimet e tij ndaj Iranit.

“Zoti Trump mund të jetë ose Presidenti i Paqes, ose Presidenti i Luftës, por nuk mund të jetë të dyja njëkohësisht”,  tha sot ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi në një postim në platformën X .

Në qershor, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit në sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane, pas pesë raundeve bisedimesh të tërthorta bërthamore me Teheranin, të cilat u ndërprenë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje si pasurimi i brendshëm i uraniumit.

Ministri i Jashtëm përsëriti qëndrimin se Teherani ka qenë gjithmonë i hapur për “angazhim diplomatik të respektueshëm dhe me përfitim të ndërsjelltë”.

Kërkesat e SHBA-së që Teherani të ndalonte pasurimin e uraniumit u hodhën poshtë më herët këtë vit si “të tepruara dhe skandaloze” nga Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili tha se çështja e Iranit me Uashingtonin është aktualisht “e pazgjidhshme”, pasi pala tjetër dëshiron që “Irani të jetë i nënshtruar ndaj Amerikës.”

Vendet perëndimore e akuzojnë Iranin se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore, por Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›