Tre startup-e shqiptare, fituese të Përshpejtuesit të Qarkullimit Digjital

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Tre startup-e shqiptare u shpallën fituese të Përshpejtuesit të Qarkullimit Digjital (DLA), në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Piramidës së Tiranës, njoftoi sot Ambasada Gjermane në Shqipëri.
Çmimet monetare iu dorëzuan fituesve nga Iven Schad, drejtues i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane në Tiranë, i cili theksoi rolin thelbësor të sektorit privat në përballimin e sfidave të parandalimit të mbetjeve dhe në zhvillimin e zgjidhjeve inovative të riciklimit.
Sipas tij, transformimi i materialeve të hedhura në modele të qëndrueshme biznesi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ekonomisë qarkulluese në vend.
Vendin e parë e fitoi “Tri Tech”, një startup i fokusuar në blerjen dhe shitjen e laptopëve dhe pajisjeve të përdorura, me synim reduktimin e mbetjeve elektronike.
Çmimi i dytë iu akordua “STOA”, një treg online për rishitjen e veshjeve të përdorura dhe të riparuara.
Ndërsa vendi i tretë shkoi për “Vakte Ditore (DailyMeals.al)”, platformë që ofron vakte me zbritje të përgatitura nga ushqime që i afrohen datës së skadimit, duke kontribuar në uljen e mbetjeve ushqimore në restorante dhe mensa.
Nisma synon të mbështesë inovacionin dhe sipërmarrjen në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, duke promovuar modele biznesi që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin më efikas të burimeve.
/gj.m/j.p/