Falja e detyrimeve doganore, Beja: 260 subjekte përfituan nga shuarja me kusht, u falën 168,6 milionë lekë

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Administrata Doganore ka përmbyllur procedurat për 260 raste përfituese nga zbatimi i ligjit për faljen e detyrimeve të pagueshme në doganë, pas përfundimit të afatit të parë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se subjektet që shlyen brenda afatit 50% të detyrimit kryesor për periudhën 2015–2019, përfituan shuarjen e 50% të mbetur të detyrimit, si dhe fshirjen e plotë të penaliteteve dhe kamatëvonesave.
“Pas përfundimit të afatit të parë, 30 qershor 2026, Administrata Doganore ka përmbyllur procedurat për 260 raste, të cilat kanë përfituar nga shuarja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë”, deklaroi Beja.
Sipas tij, nga zbatimi i kësaj dispozite ligjore, subjektet kanë paguar rreth 66,1 milionë lekë detyrime, ndërsa janë falur rreth 168,6 milionë lekë detyrime, penalitete dhe kamatëvonesa.
Beja theksoi se procesi i zbatimit të Ligjit të Faljes vijon edhe pas përfundimit të afatit të parë, pasi subjektet që nuk përfituan nga shuarja e 50% të detyrimit kanë ende mundësi të përfitojnë nga dispozitat e ligjit deri më 31 dhjetor 2026.
“Konkretisht, për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, subjektet që paguajnë 75% të detyrimit kryesor brenda këtij afati përfitojnë shuarjen e 25% të mbetur, si edhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave”, bëri të ditur drejtori i Doganave.
Ndërkohë, Administrata Doganore ka vijuar edhe procesin e fshirjes automatike të detyrimeve për debitorët me detyrime të krijuara deri më 31 dhjetor 2014.
“Deri më tani është përfunduar procedura për 264 raste përfituese, me një vlerë totale të detyrimeve të fshira prej rreth 505,5 milionë lekësh”, u shpreh Beja.
Procesi vijon në të gjitha degët doganore, të cilat do të vazhdojnë evidentimin dhe trajtimin e rasteve përfituese deri në fund të vitit 2026, sipas afateve të përcaktuara në ligj.

/e.xh/j.p/