E Diel, 1 Nëntor 2026

Falja e gjobave për mbi 105 mijë biznese, Buxhuku: Masë pozitive, por jo vendimtare për ekonominë. Duhet rishikuar kuadri ligjor për penalitetet

Është mbyllur procesi i fshirjes së gjobave për më shumë se 105 mijë biznese në të gjithë vendin, një nismë që përfshin penalitete të akumuluara gjatë 10 viteve të fundit.

Në një lidhje Skype me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Gjergj Buxhuku, studiues i ekonomisë, ka komentuar këtë zhvillim, duke e cilësuar si një masë lehtësuese për biznesin, por me ndikim të kufizuar në zgjidhjen e problemeve strukturore të ekonomisë. Sipas tij, fshirja e gjobave përbën një “frymëmarrje oksigjenuese” si për sipërmarrjet ashtu edhe për individët, pasi shumë nga këto detyrime janë krijuar ndër vite nga penalitete administrative dhe situata të ndryshme ekonomike.

Megjithatë, Buxhuku theksoi se masa të tilla nuk duhet të mbivlerësohen, pasi efekti i tyre në ekonominë e përgjithshme nuk është vendimtar. Ai u shpreh se është e nevojshme që të rishikohet kuadri ligjor për të shmangur krijimin e borxheve të reja artificiale në të ardhmen. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e këtyre detyrimeve lidhet edhe me individët, duke përfshirë taksa dhe gjoba të ndryshme të mbartura ndër vite, të cilat shpesh kanë krijuar ngarkesa të panevojshme financiare.

“Është një masë pozitive dhe e mirëpritur, por jo një zgjidhje që ndryshon rrënjësisht ekonominë. Janë penalitete të cilat janë marrë ndër vite dhe praktikisht nuk janë marrë vetëm nga sipërmarrja, janë marrë edhe nga individët për arsye nga më të ndryshmet administrative.E rëndësishme është që këto masa penalizuese të rishikohen edhe në kuptimin se si janë marrë këto dhe përse janë marrë dhe të mos përsëritet në vazhdimësi e njëjta histori. Duhet të shikohet edhe legjislacioni që këto të mos jenë të tilla, të mos rëndohen shumë”, u shpreh ai.

Buxhuku theksoi se falja e gjobave duhet parë si një hap lehtësues, por jo si një reformë që zgjidh në mënyrë të plotë problematikat ekonomike të vendit. “Natyrisht që masa të tilla janë masa të mirëpritura, pozitive, oksigjenuese në një farë mase”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›