Falsifikonin markat firmato të veshjeve, zbulohen dy magazina në Tiranë, në pranga 4 shtetas

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit finalizoi sot operacionin policor të koduar “Fake Star 5”.
Në kuadër të këtij operacioni u zbuluan në Rrugën e Arbrit, 2 magazina ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.
Policia e Shtetit arrestoi 4 shtetas të implikuar në këto veprimtari kriminale, ndërsa shpalli në kërkim 2 të tjerë, njëri prej tyre shtetas turk. Po ashtu u proceduan në gjendje të lirë 4 punonjës.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave. Po ashtu u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër; u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave, si dhe u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan edhe sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
/m.m/j.p/