Falsifikuan dokumente për të përvetësuar një sipërfaqe toke, masa sigurie për 5 persona në Tiranë

Policia e Tiranës ka ekzekutuar masa sigurie për 5 persona në kudër të operacionit “Kontrata”.
Këta pesë shtetas akuzohen për falsifikim dokumentesh ose shpërdorim të detyrave.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Kontrata”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i datës 03.03.2026, i Gjykatës së Tiranës, që ka caktuar masat e sigurisë për 5 shtetas, si vijon:
-“Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin D. B., 45 vjeç;
-“Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin I. Ç., 59 vjeç;
-“Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit B. S., 49 vjeç, F. Z., 35 vjeç dhe Th. L., 41 vjeç, punonjës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Nga hetimet dyshohet se shtetasit D. B. dhe I. Ç. kanë kaluar në pronësi të tyre një sipërfaqe toke 2350 m² në fshatin Mëzez, që ishte pronësi të një shtetasi tjetër, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, në bashkëpunim me 3 punonjësit e ASHK-së.
Më tej, Gjykata ka caktuar sekuestro preventive për këtë sipërfaqe toke./vizionplus.tv