Grabitet me armë pika e këmbimit valutor në Tiranë

Një pikë këmbimi valutor në zonën e 5 Maji është grabitur pak më parë nga një person i armatosur.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj raporton se një person ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit dhe, nën kërcënimin e armës, ka marrë një shumë parash nga punonjësit që ndodheshin brenda. Pas marrjes së parave, autori është larguar me vrap nga vendngjarja.
Menjëherë pas ngjarjes në vend kanë mbërritur forca të Policia e Shtetit, të cilat kanë nisur hetimet dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Reagimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet me qëllim kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
/vizionplus.tv