Faza përfundimtare e hartimit të projektligjit të ri për Avokatin e Popullit

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Institucioni i Avokatit të Popullit ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit të projektligjit të ri “Për Avokatin e Popullit”, një nismë që synon përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe përafrimin me rekomandimet e Bashkimit Evropian, Parimet e Parisit dhe ato të Komisionit të Venecias.
Në këtë kuadër, u organizua një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Në nisje të takimit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, theksoi se prej vitesh ekziston dëshira dhe bindja për domosdoshmërinë e ndryshimit të kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e institucionit, dhe për këtë arsye ishte ndërmarrë më herët një nismë për hartimin e një drafti ligjor. Ajo vlerësoi mbështetjen e projektit të asistencës teknike dhe theksoi se sa më shumë të diskutohen modele të ndryshme dhe të rrihen mendimet, aq më cilësor do të jetë rezultati përfundimtar.
“Ky është prezantimi i parë i draftit dhe procesi ka ende nevojë për kohë të mjaftueshme, në mënyrë që projektligji të përputhet në mënyrë të plotë me Parimet e Parisit dhe të Komisionit të Venecias, standarde kyçe që udhëheqin mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Shqipëria nuk ka pasur tradicionalisht të njëjtën ndërgjegjësim dhe ndjeshmëri ndaj të drejtave të njeriut si vende të tjera, çka e bën edhe më të rëndësishëm rolin e Avokatit të Popullit dhe nevojën për një ligj që i jep këtij institucioni të gjitha mjetet dhe garancitë e nevojshme për të ushtruar funksionin e tij në mënyrë efektive”, u shpreh Ballanca.
Në fjalën e tij, Detlef Boring, drejtues i ekipit të EUIS (Europian Union Integration Support) në Shqipëri, ndër të tjera theksoi se viti 2025 është një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në përmbushjen e kritereve ndërmjetëse në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Këto kritere janë kyçe për ecurinë e mëtejshme të negociatave dhe për të mundësuar mbylljen e kapitujve të integrimit. Brenda këtij kuadri, fuqizimi dhe përputhja e institucionit të Avokatit të Popullit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare është një domosdoshmëri.
Konsultimi publik për këtë projektligj është një hap i rëndësishëm për të garantuar që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe në funksion të forcimit të një institucioni që i shërben publikut dhe demokracisë.
1 nga 4/e.r//r.e//a.f/