E Martë, 3 Nëntor 2026

Policia Bashkiake në Durrës dhe IMT, aksion për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe punonjësit e Policisë Bashkiake të Durrësit, kanë ndërmarrë aksionin për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike përgjatë bulevardit “Epidamn”, në zonën pranë “Velierës” dhe në hyrje të qytetit.

Sipas medieve, ndërhyrja ka nisur mbrëmjen e djeshme për të vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama, ka pasur gjithashtu edhe reagime pozitive nga subjekte tregtare që i kanë hequr vetë tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret që cenonin sigurinë e qytetarëve dhe këmbësorëve.

Çlirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror gjatë gjithë muajit korrik. Çlirimi jo vetëm i trotuareve, por edhe i hapësirave në plazhet publike apo në pedonalet e qyteteve në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë Brenda standardeve për të gjithë.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›