Shkolla verore “Jam Shqiptar”, Manastirliu pret nxënës të diasporës në Zvicër

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu priti sot në ambientet e “EduLab” një grup nxënësish shqiptarë të shkollave të gjuhës shqipe në Zvicër, të cilët do të jenë pjesë e shkollës verore “Jam Shqiptar”.
Ky është viti i tretë radhazi që organizohet Shkolla Verore “Jam Shqiptar” për fëmijët e diasporës nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Për një periudhë prej 10 ditësh, nxënësit do të ndjekin mësime të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke vizituar qytete me rëndësi historike dhe kulturore të Shqipërisë si: Berati, Shkodra, Tirana, Lezha dhe Kruja.
Përveç kësaj, ata do të marrin pjesë në veprimtari zbavitëse dhe njohëse, që të gjitha me kryefjalë gjuhën si pjesë të rëndësishme të vetëdijes dhe identitetit kombëtar.
Në takimin me nxënësit, ministrja Manastirliu tha se “gjuha e bukur shqipe është jo vetëm prioritet i prioriteteve tona, por falë mbështetjeve kemi bërë të mundur nxitjen e hapjes së klasave të gjuhës shqipe, të promovimit të mësuesve në Diasporë për të institucionalizuar klasat e gjuhës shqipe”.
“Shkollat shqipe dhe lidhjet me arsimtarët në Zvicër, Greqi, Itali, në Mbretërinë e Bashkuar bëjnë të mundur që ju që jeni shqiptarë të Diasporës të vijoni të keni lidhjen me gjuhën tonë shqipe”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit me fëmijët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, por edhe me mësues në këto shkolla shqipe, ministrja Manastirliu nënvizoi se mbi 27 mijë libra do të shpërndahen për vitin e ri shkollor për të gjitha shkollat dhe fëmijët në diasporë, librat e Abetares dhe Niveli i Parë dhe i dytë i librit Kultura dhe Gjuha Shqipe.
Shkolla Verore “Jam Shqiptar” është konceptuar si një udhëtim gjuhësor, ndërveprues, njohës dhe argëtues, kushtuar gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare.
Fëmijët që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, vajza dhe djem të Shqipërisë tjetër, asaj të Diasporës, mbeten të pandarë nga rrënjët e tyre, duke u bërë kështu ambasadorë të gjuhës amtare dhe të kulturës së tyre të origjinës.
/e.i//r.e//a.f/