E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier-Reshje të çrregullta shiu, situata hidrike drejt përmirësimit

Në qarkun Fier moti vijon me reshje të çrregullta shiu dhe intervale kthjellimesh, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm.  Fatmirësisht situata hidrike po përmirësohet.

Gjatë natës dhe në vazhdim, bashkë me strukturat vendore kemi monitoruar prurjet në lumenjtë Vjosë, Seman dhe Shkumbin dhe rezulton si vijon:  Lumi Vjosë ka ulje të dukshme të nivelit dhe ujrat kanë filluar të tërhiqen edhe nga tokat bujqësore në Kashisht e Kafaraj. Lumi Shkumbin është në kuota normale dhe nuk paraqet probleme.

Lumi Seman ka filluar të ulet, por ende mban kuota të larta; ka dalje uji nga shtrati, por gjithçka brenda argjinaturës.  Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, Bordi Rajonal i Kullimit dhe drejtoritë e ujiturave në bashki kanë kontrolluar vazhdimisht argjinaturat dhe infrastrukturat përreth lumenjve.

Ashtu siç raportohet nga terreni deri në këto momente nuk kemi cenim të argjinaturave apo infrastrukturës kritike, nuk kemi akse rrugore të bllokuara, nuk kemi fshatra apo lagje të izoluara, nuk kemi banesa nën ujë. Vetëm disa kasolle bagëtish dhe depozita bari pranë Semanit janë prekur, por brenda zonës së argjinaturës dhe bagëtitë janë larguar në kohë.  Aktualisht reshjet janë me intensitet të ulët dhe nuk kemi nevojë për mbështetje shtesë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›