E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në konferencën “Bujqësia dhe Zhvillimi Rajonal”.

11 mars 2008

Së pari ju falenderoj për ftesën! Ndihem i gëzuar dhe i respektuar që jam këtu midis jush.

I nderuar zoti ministër,
I nderuar deputet i zonës,
Të nderuar miq,

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Bashkisë u përmbyll me një sërë përshëndetjesh. Ju, përveç respektit, u futët në thelbin e këtij takimi, në thelbin e çështjes, sepse të diskutosh sot për çështjet e bujqësisë, për çështjet e agro-biznesit, të agro-industrisë, të agro-turizmit, natyrisht kjo nuk ka të bëjë thjesht me Ministrinë e Bujqësisë, të Ushqimit dhe të Mbrojtjes së Konsumatorit, kërkon shumë aktorë. Padyshim në thelb është Ministria e Bujqësisë që realizon politikat, por ka nevojë për shumë aktorë që kanë të bëjnë jo vetëm me shtetin, kanë të bëjnë me pushtetin vendor, me decentralizimin. Ka të bëjë me çështjet e zhvillimit urban, ka të bëjë me çështjet e zhvillimit të turizmit, me politikat rajonale, ka të bëjë me çështjet e mbrojtjes së konsumatorit, ka të bëjë me një sërë lidhjesh të domosdoshme me tërë rrjetin e bankave, që operojnë në Shqipëri dhe degët e tyre në këtë zonë. Përshëndetja juaj, në mënyrë shumë të natyrshme, evidenton një fakt që çështjet, që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë, apo të agro-turizmit, është një term shumë më i preferuar dhe realist do të thoja, sot fut në lojë pra mjaft aktorë. Nga kjo pikëpamje, unë ndihem jo vetëm, sikurse e thashë, i respektuar që më ftuat të marr pjesë në këtë takim, por ndihem dhe i motivuar dhe i detyruar institucionalisht për të bërë një përshëndetje të shkurtër, për të falenderuar Institutin për Demokraci dhe Reforma, për të falenderuar fondacionin “Hanns Seidel”, Ministrinë e Bujqësisë, të cilët kanë arritur të organizojnë këtë takim në një nga zonat më të rëndësishme dhe më piktoreske në të njëjtën kohë, që është në krah të aksit, apo të metropolit aktual dhe sidomos të metropolit të viteve që do të vijnë. Padyshim, aksi Tiranë – Durrës është aksi ku jo vetëm do të përqendrohet një popullsi e konsiderueshme e Shqipërisë, sikurse është tendenca e të gjitha zhvillimeve, apo lëvizjeve demografike në të gjithë botën, ku aksi i kryeqytetit dhe aq më shumë një aks, që vjen nga Mali i Dajtit dhe shkon në bregun e detit, ka mundësi dhe resurse të jashtëzakonshme edhe në akset kolaterale të tij, majtas dhe djathtas. Një nga zonat më të rëndësishme është pikërisht kjo zonë ku ne jemi sot për të promovuar jo vetëm politikat, por nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional për të sjellë në vëmendje, edhe një herë, jo vetëm të pushtetit vendor, por të gjitha institucioneve të tjera në mënyrë që politikat e decentralizimit të mos mbesin thjesht si fraza retorike, por të jenë pikërisht ato politika që do t’i japin zhvillimin zonave të caktuara.

Ju e dini më mirë se unë, sigurisht ata që janë banorë të kësaj zone, se bëhet fjalë për një zonë, e cila t’i ofron të gjitha mundësitë, është një zonë afër detit, është një zonë me të gjitha resurset për të zhvilluar një bujqësi komplekse dhe jashtëzakonisht të përparuar. Nga pikëpamja mikroklimatike kjo është shumë interesante. Në këtë zonë është e vështirë që të kapësh temperatura, edhe në periudhën e dimrit, që të shkojnë nën zero. Është një zonë e bekuar që për qytetarët e saj vjen me shprehjen mjaft intuitive që “këtë zonë e ka falur Zoti”. Pra, atë që na ka falur Zoti, atë që na ka falur natyra duhet të dimë ne të gjithë së bashku që të punojmë, sigurisht me ritme shumë më të shpejta, jo thjesht për të evidentuar bukuritë, jo thjesht për t’iu afruar zonave piktoreske me dëshirën për të qenë pranë detit, ku shpeshherë këto janë iniciativa të karakterit privat, shpeshherë të pamenduara mirë dhe të paharmonizuara me planet e zhvillimit. Unë do të uroja që kjo zonë të mbetet një zonë që të ofrojë të gjitha mundësitë, vërtet të japë akses për turizëm bregdetar, por të mos harrojmë që kjo zonë të jep mundësinë që të zhvillojë bujqësinë, të zhvillojë agro-biznesin, të zhvillojë agro-industrinë, të zhvillojë agro-turizmin, për t’i dhënë mundësinë që jo vetëm turistët, por edhe ato qytetarë të cilët do të qëndrojnë për një kohë relativisht të gjatë në zonat e tyre, apo në ndërtesat e tyre rezidenciale, të kenë mundësinë që të furnizohen me prodhime, me ushqime të standardeve, sikurse e kërkon sot Bashkimi Evropian. Por kjo zonë jo vetëm duhet të konsiderojë traditën në retrospektivë, por duhet të konsiderojë edhe të ardhmen, sepse ka mundësi të mëdha për të furnizuar tregun e Tiranës, të Durrësit.

Në të gjithë këto biseda që ne po bëjmë, sigurisht mund të dalë një pyetje se “cila është mundësia e fermerit sot në këtë zonë?”. Pa dashur që të bëjmë përgjithësime, t’i referohemi pikërisht kësaj zone, sepse duhet të ketë patjetër një predispozicion natyror, mikroklimatik, predispozicion shoqëror, për të ardhur pastaj tek mundësia e implementimit të politikave realiste dhe të bashkëpunimit të detyrueshëm midis institucioneve. Ndoshta pa dashur, por i detyruar, gjithmonë vijmë tek problemet që lidhen me ndihmën financiare, apo me huadhënien, që vijon nga sistemi bankar. Sistemin bankar në Shqipëri, natyrisht si në të gjithë botën, zoti Guvernator e di shumë mirë dhe natyrisht do të japë vlerësime më profesionale, por duke tentuar që të bëjmë një trajtim të përgjithshëm, ka nevojë për garanci, ka nevojë që dokumentacioni që plotësohet të jetë i sigurtë, sepse janë institucionet, të cilat janë konformuar me kohë dhe janë të tilla që kërkojnë të tilla garanci. Pra, unë shikoj që jo vetëm predispozicioni pozitiv i bankave është, përkundrazi ka një tendencë të shprehur të bankave, që kërkojnë patjetër që të lëvrojnë depozitat e tyre. A e kemi të mundshme ne, flas gjithmonë në funksion të interesave që kanë fermerët, për t’i absorbuar? Ka edhe një dëshirë të shprehur të fermerëve që të ndihmohen, pra të futen në rrjetin e kredidhënies. A e kanë të mundshme ata në çdo moment që ta realizojnë këtë mundësi?

Kur thashë në fillim që janë një sërë institucionesh që do të futen në lojë, një institucion tjetër shumë i rëndësishëm bashkë me pushtetin vendor është edhe zyra për regjistrimin e pasurive. Pra, e kemi zgjidhur ne çështjen e pronësisë në këtë zonë, sepse më rezulton që përveç interesave të shumfishta që kanë banorët e kësaj zone, krahas këtyre interesave ka edhe probleme që lidhen me pronësinë. Do të thoni ju se “pse sërish del çështja e pronësisë?”. Sepse pa pasur një pronë të formalizuar, pa pasur një pronë të garantuar me dokumente, asnjë pronar nuk mund të shkojë tek dyert e bankave për të garantuar pikërisht atë që merr. Ka edhe një element tjetër. Sigurisht që vite më parë kam qenë edhe unë në Ministrinë e Bujqësisë dhe bashkë me zotin Gjana, sot ministër, në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë, kemi diskutuar gjerë e gjatë, dhe ne problemet i dimë, vështirësitë i dimë se ku janë, por, çështja e pronësisë ka të bëjë edhe me mundësinë e futjes së këtij tregu për të bërë realisht që toka të mos mbesë një kapital i vdekur, por të jetë një mundësi, për kredituar vlerën e shtuar. A e kemi sot ne këtë mundësi? Sigurisht që këtë mundësi e kemi në mënyrë shumë të parcializuar, ç’ka do të thotë që çështja e konsolidimit të pronësisë do t’i japë mundësi, sikurse është parimi kapitalist i koncentrimit të pronës dhe të kapitalit, që ai që ka mundësi dhe ka dëshirë që të zhvillojë pronën e tij dhe aktivitetin e tij, natyrisht që do të zgjerojë dhe sipërfaqen, do të zgjerojë edhe aktivitetin.

Pra, të gjitha këto shkojnë në harmoni me njëra-tjetrën. Ju, unë, të gjithë të tjerët e dimë dhe do të ishte e tepërt që të rendisim mundësitë që ka kjo zonë. Por kjo zonë nuk mund të lihet në spontanitet, në dëshirat e deputetit, apo të Kryetarit të Bashkisë. Këto janë zona, të cilat jo vetëm duhet të zhvillohen, por edhe duhet të konservohen për të ruajtur ekuilibrat e nevojshëm që duhet të ketë një zonë, e cila do të jetë e projektuar për agro-turizëm. Kështu që nga kjo pikëpamje vërtet kam gjëra për të thënë, kam dëshirë për të folur, por do të ishte e tepërt që unë të zgjatesha më shumë, sepse në këtë auditor të nderuar, sot janë personalitete, të cilat merren drejtëpërdrejtë me këtë punë dhe mund të jepnin gjëra më konkrete në funksion të kësaj zone. Por, besoj duhet të shkojmë në themelin e çështjes në mënyrë që, kur të vijmë herë tjetër, të shohim një progres dhe një zgjidhje graduale, që sigurisht nuk mund të vijë brenda një jave, por duhen muaj, por që duhet shkuar me këtë tendencë.

Unë kam rastin, në përfundim të përshëndetjes sime, të përgëzoj të gjitha ato ndihma dhe subvencione që janë dhënë për këtë zonë, sepse kemi një lloj tendence natyrale që të shkojmë tek problemi për të diskutuar, por duhet edhe të vlerësojmë. Këtu janë 43 fermerë në numër, në mos gaboj nga një informacion që kam marrë, që po merren në mënyrë shumë të suksesshme me vreshtarinë. Nuk janë pak 43 në një zonë. Unë uroj që ky numër të shtohet. Sigurisht ka edhe fermerë të tjerë që kanë ngritur ferma të vogla blegtorale dhe fermat e vogla fillojnë pikërisht me dhjetë krerë lopë edhe më shumë. Pra, ka një tendencë natyrale për të shkuar në traditë, por besoj që e ardhmja do të sjellë mundësi të reja, sepse bashkërendimi i punës të të gjithë aktorëve në mënyrë të padiskutueshme, për të mos ta lënë vetëm Ministrinë e Bujqësisë në këtë sfidë të rëndësishme, por për të bashkërenduar angazhimin. Po të sinkronizojmë punën të gjithë së bashku, të gjitha problemet janë më të lehta për t’u zgjidhur.

Unë ju falenderoj edhe një herë për ftesën dhe sinqerisht ju uroj sukses në këtë bisedë pune, e cila në fund fare do të japë edhe zgjidhje, të cilat do të jenë zgjidhje për momentin, por më e rëndësishmja është që të jenë zgjidhje të perspektivës, sepse në këtë zonë janë këto resurse. Në këtë takim ka përfaqësues të universiteteve, të cilët domosdoshmërisht duhet të jenë promotorë, ideatorë të projekteve të perspektivës.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›