E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në mbledhjen e KLD.

8 shkurt 2008

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka drejtuar sot mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë në hyrje të së cilës është shprehur:

“Do të veçoja nga e gjithë struktura e rendit të ditës pikën e parë, që ka të bëjë me një diskutim mbi materialin e përgatitur nga grupi i punës lidhur me përcaktimin, me kufizimin e mandatit të kryetarëve dhe zv/kryetarëve të gjykatave të rrethit gjyqësor dhe të apeleve. Është një moment shumë i rëndësishëm në filozofinë e re dhe në strategjinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila sot konsiderohet me një frymë të re në këtë sens, duke i dhënë mundësi që edhe në sistemin gjyqësor, pozicionet e kryetarëve dhe të zv/kryetarëve të gjykatave të dalin nga ajo situatë, e cila, për hir të së vërtetës, në mjaft raste ka krijuar kushte për klientelizëm, për nepotizëm, për një mungesë të dialektikës së zhvillimit edhe në këto pozicione shumë të rëndësishme. Pra, ajo që ndodh në çdo fushë të jetës, ku ndihet nevoja e qarkullimit, ndihet nevoja e ridinamizimit të këtyre pozicioneve, ndihet nevoja e konkurencës, e cila është jetike në demokraci, pikërisht për këtë arsye, sikurse jeni në dijeni, vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë është përfshirë në një frymë diskutimi paraprak, që ka të bëjë pikërisht me atë rol jetik që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë si organi kryesor i qeverisjes së pushtetit gjyqësor për t’i dhënë mundësi dinamizimit të këtij sistemi që nga publiku, nga strukturat e institucioneve më të rëndësishme evropiane kërkohet që të reformohet, kërkohet që të japë modele të reja, modele që i shkojnë për shtat standardeve evropiane, modele të cilat garantojnë një funksionim afatgjatë dhe korrekt të të gjithë këtyre strukturave që tek e fundit garantojnë shtetin e së drejtës në shërbim të interesit të qytetarëve. Padyshim që media do të jetë e pranishme në momentin kur KLD do të komunikojë për vendimet e veta. Unë do ju kërkoja që pas këtij momenti, ne të futemi në një diskutim pune, që s’ka të bëjë fare me largim nga transparenca e publikut, përkundrazi do të jeni në dijeni dhe do të keni informacion të hollësishëm për të gjtha momentet që ky Këshill do të trajtojë sot në rendin e ditës dhe, ç’ka është më e rëndësishme, ne e kemi të nevojshme të komunikojmë me mediat. Është pikërisht përçimi tek publiku i asaj fryme që Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkon që të zbatojë, pikërisht tek nevoja e rinovimit, e kufizimit të mandateve, ajo që është kërkuar prej kohësh edhe për pozicione të tjera, në mënyrë që të shkojmë në sinkron me të gjithë logjikën e pozicioneve kushtetuese, e pozicioneve administrative, që përcaktohen nga Kushtetuta dhe ligji. Pra, nuk po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme, po shkojmë me një frymë që është bashkëkohore, është një frymë evropiane, është frymë tek e cila të gjitha institucionet e shtetit duhet të shkojnë në mënyrë të sinkronizuar.

Faleminderit për mirëkuptimin!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›