E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Forumin “Siguria dhe Politika e Jashtme”.

I nderuar zoti Rakipi,
I nderuar zoti Mustafaj,,

Së pari unë dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht për ftesën dhe mundësinë që më jepet duke iu adresuar sikurse thatë edhe ju, kësaj audience të shkëlqyer lidhur me këndvështrimin e Presidentit të Republikës në funksion të politikave të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Gjej rastin të them që politikat e Shqipërisë qoftë në planin e brendshëm, qoftë në planin e jashtëm janë politika të rëndësishme institucionale, janë politika që kurrësesi nuk duhet të jenë mbi bazën e vullneteve individuale, ku të gjithë përfaqësuesit e nderuar të strukturave të shtetit dhe politikës janë bërë pjesë e kësaj simfonie të mrekullueshme ku shteti shqiptar po përfaqësohet çdo ditë e më mirë. Duke u nisur nga ajo shprehje që ju përmendët lidhur me shtetet e vogla apo shtetet e mëdhenj, ne vërtet jemi të vegjël në sensin e përmasave gjeografike, por aspirata jonë e vazhdueshme ka qenë dhe do të jetë që ne dëshirojmë të bëjmë miq, miq të vegjël apo të mëdhenj nuk ka shumë rëndësi, por e rëndësishme është që Shqipëria sot nuk është e vetme. Është pjesë e politikave institucionale ndërkombëtare, dhe besoj ajo që e shpreh më qartë këtë pozicionim të Shqipërisë dhe institucioneve të saj janë aspiratat e forta që ka Shqipëria, në radhë të parë shoqëria shqiptare, pastaj edhe institucionet e saj për t’u bërë pjesë e botës euroatlantike.

Të nderuar pjesëmarrës,
Shkëlqesi Ambasadorë,

Vij sot në këtë Forum me dëshirën time, të cilën ju e njihni prej kohësh, por sidomos pas zgjedhjes sime në pozicionin e Presidentit të Republikës, për të zhvilluar, nxitur, e shtrirë debatin demokratik për çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Jam shumë i vendosur në bindjen time se demokracia, që të zhvillohet, të fuqizohet dhe të rritet e shëndetshme duhet të pasurohet nëpërmjet një debati ku të marrin pjesë jo vetëm politikanët, jo vetëm mediat, jo vetëm shoqëria civile, jo vetëm miqtë tanë ndërkombetarë, por sidomos publiku i gjerë dhe qytetarët e Shqipërisë. Shoqëria që dëshirojmë të ndërtojmë ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Ne e kemi detyrim të dëgjojmë mendimin e të gjithëve, shqetësimin e të gjithëve, vlerësimin e të gjithëve për ç’ka bëjmë dhe më pas të ndërtojmë strategjitë politike, ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, për të ngritur një shtet të merituar ku çdo njeri e ndjen se vendi i tij është meritë e vlerave dhe jo antivlerave, ku çdo njeri beson se ka një të ardhme për të dhe për fëmijët e tij.

Shqipëria duhet të rikthehet në Evropë. Aspirata e Shqipërisë do të mbetet që ajo të bëhet sa më parë edhe institucionalisht pjesë e familjes së madhe evropiane, të cilës ajo i përket si nga pikëpamja historike e gjeografike, ashtu dhe nga ajo e vokacionit të saj shpirteror.

Shqipëria është tashmë në rrugën e duhur drejt integrimit në familjen europiane dhe më pranë integrimit në familjen euroatlantike. Për të ecur të sigurtë në këtë rrugë, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe të vendosur për reformat që duhet të ndërmarrim, nëpërmjet një bashkëpunim luajal e konstruktiv.

Ritmi i hapave të përcaktuara tashmë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit për Shqipërinë është i domosdoshëm për t’u respektuar nga të gjithë dhe përmbushja e detyrimeve në zbatim të Marrëveshjes së Ndërmjetme duhet të ndërgjegjësojë çdokënd. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nuk kemi më kohë për të humbur. Ratifikimi i Marrëveshjes se Stabilizim Asociimit vetëm nga 15 vende anëtare është mjaft inkurajues, por i pamjaftueshëm. Të gjitha strukturat e shtetit tonë duhet të punojnë që ratifikimi nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian të përfundojë mundësisht brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 e më pas të kërkohet statusi i vendit kandidat, për të cilin jemi mëse të përgatitur.

E konsideroj hap shumë cilësor në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian Marrëveshjen për lehtësimin e procedurave të vizave për shtetasit shqiptarë. Jam në pritje të rezultateve konkrete të praktikimit të këtyre masave ndaj shtetasve tanë. Strukturat tona përkatëse duhet të ndjekin me vëmendje zbatimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që në një të ardhme jo të largët të propozojmë hapa të tjera lehtësuese. Por nga ana tjeter duhet të jemi të ndërgjegjshëm se edhe Shqipëria duhet të ndërtojë sa më parë standarde në pajisjen e shtetasve të saj me dokumentat e identifikimit.

Jam shumë i angazhuar për të dhënë kontributin maksimal në emancipimin politik që kërkon vendi, duke nxitur frymën e dialogut politik, bashkëpunimit midis partive politike me qëllim nxitjen për kryerjen e të gjitha reformave që kërkon zhvillimi i vendit dhe angazhimet tona euroatlantike. Reforma zgjedhore e ajo në drejtësi janë më të rëndësishmet në kushtet tona. Presidenti do të jetë garant i marrëdhënies korrekte institucionale që kërkon opozita, ashtu sikurse garant i respektimit kushtetues të ligjeve.

Reforma në drejtësi është një nga çështjet në qendër të vëmendjes jo vetëm nga politika shqiptare, por mbi të gjitha nga shoqëria shqiptare, nga njerëzit e thjeshtë. Ajo përbën për Shqipërinë jo vetëm një nga detyrimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe një prioritet politik për t’u përmbushur për integrimin në NATO. Presidenti në pozicionin e tij edhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjykon se vazhdimi i reformës në drejtësi duhet t’i përshtatet zhvillimeve demokratike të vendit. Gjatë këtyre viteve janë miratuar mjaft ligje, por ende ka shumë probleme. Duhet të provojmë që brenda një periudhe afatshkurtër të arrijmë rezultate konkrete dhe standardet e kërkuara. Kjo kërkon një seriozitet të ri mbi bazën e vullnetit politik të shprehur nga të gjitha palët. Së fundi, konstatoj me kënaqësi se në Kuvendin e Shqipërisë, komisioni përkatës ka filluar debatin politik, i cili shumë shpejt duhet të shprehet në reforma profesionale.

Reforma në sistemin zgjedhor është po aq e rëndësishme. Jo vetëm për faktin se është një parakusht për integrimin tonë në NATO dhe BE. Ajo duhet, si normë e një shteti të së drejtës dhe demokratik, ku vota e çdo shtetasi nuk deformohet e as vidhet, por respektohet dhe pasqyrohet në strukturat e zgjedhura, duke rifituar kështu edhe besimin e humbur të shtetasve ndaj politikës.

Shqiptarët presin nga politika që të jetojnë më mirë, të ndihen më të sigurtë, më të integruar dhe realizimi i këtyre aspiratave është detyrim i të gjithëve, veçanërisht i politikanëve dhe shtetit shqiptar. Ky duhet të jetë edhe motivimi ynë kryesor për t’u përballur me sfidat e reformave dhe për t’u dhënë një nxitje reale dhe të shpejtë proceseve të konsolidimit demokratik, shtetit të së drejtës, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euro-atlantik.

Lufta e vendosur dhe pa ngjyrime politike ndaj korrupsionit në politikë, administratë, shoqëri, beteja kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, deformimeve të konceptit thelbësor të pronësisë, janë sfida të së ardhmes evropiane të vendit tonë. I ftoj të gjithë të jemi në një front të përbashkët për të fituar mbi to. I ftoj të gjithë me transparencë të plotë të provojmë përpara të ardhmes sonë se këto fenomene nuk janë tendenca të shoqërisë sonë, por vetëm sëmundje kalimtare të saj.

Në një vlerësim të përgjithshëm, ekonomia e Shqipërisë, megjithëse është duke përballuar pasojat e krizës energjetike globale, karakterizohet nga një situatë e qëndrueshme makroekonomike. Eksportet shqiptare janë në tendencë rritje dhe investimet e huaja direkte janë më të larta duke dhënë shpresë për stabilizim të vazhdueshëm. Shqipëria po vendoset në fokus të interesit të investitorëve të fuqishëm të huaj, duke marrë pjesë në projekte të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si ato të energjisë, minierave, bankave tregëtare, turizmit dhe infrastrukturës. Reforma fiskale e këtij viti, me taksën e sheshtë prej 10% , më e ulëta nga të gjitha vendet e Evropës, si dhe krijimi i agjensisë së regjistrimit të biznesit vendas në sistemin «One-stop-shop» krijojnë terren për tërheqjen e investimeve të huaja dhe mbështetje për bizneset vendas. Kjo klimë pozitive prodhoi një sezon të suksesshëm turistik për Shqipërinë, me një rritje të numrit të turistëve në krahasim me vitin e kaluar.

Gjykoj që politikat ekonomike duhet të orientohen së pari drejt amortizimit afatgjatë të pasojave të krizës energjitike dhe të parandalimit të krizave të mundshme në të ardhmen. Sot jemi në një moment, për të shtuar një koment të shkurtër kur sigurisht nuk mund të flitet vetëm me nota pozitive për ekonominë, sigurisht flasim me nota pozitive për tendencën. Sot ka një debat shoqëror dhe për t’u orientuar tek fraza e parë, me të cilën fillova fjalën time, që këto forume kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne, për politkanët, për parlamentarët, për njerëzit që merren me politikën e jashtme, për ekonomistët, për akademikët, por duke iu referuar edhe një debati në terrenin e thjeshtë shoqëror, duket që sot ka edhe probleme të natyrës akute që për të dalë nga frazeologjitë e fjalimeve që kanë të bëjnë me tendencat e ekonomisë, nuk ka sesi të shkëputemi nga ky lloj debati që diskutojmë sot dhe që ka të bëjë me çmimin e një elementi bazë e jetësor sikurse është buka. Që të mos kalojmë dhe ta bëjmë diskutimin një një terren shumë teorik dhe akademik, ka shumë rëndësi që në forume të tilla të bëjmë kombinimin e asaj që është tendencë e ekonomisë, që është mjaft pozitive, por edhe mjaft elementë që politika dhe shteti në radhë të parë kanë nevojë ta marrë në konsideratë dhe të japë zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Nisur nga fakti që sektori privat përbën rreth 80% të kontributit në GDP-në e vendit tonë, politikat ekonomike dhe finaciare duhet së dyti të inkurajojnë përvojat pozitive të tyre, të mbështesin projektet dhe prodhimet cilësore, të nxisin prodhimin vendas dhe të krijojnë terren për konkurrencë të ndershme. Integrimi i vendit kërkon patjetër treg cilësor, konkurrues dhe sa më shumë prodhime «made in Albania» si në tregun rajonal, ashtu edhe më gjerë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj jo vetëm politike për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e prillit të këtij viti, në Bukuresht. E gjykoj detyrim vlerësimin e palëkundur të opinionit publik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e në të njëtën kohë inkurajim dhe përgjegjësi të madhe. Një mbështetje prej 90% pro Shqipërisë në NATO është më shumë se një votë plebishitare, është më shumë se një referendum, është një besim i palëkundur për të ardhmen e Shqipërisë në këtë Aleancë.

Gjatë 15 vjetëve, ne kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke vënë në dispozicion të saj portet, aeroportet, territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Gjatë këtij procesi bashkëpunimi, kemi vepruar si anëtarë de facto të Aleancës. Në këtë frymë do të vijojmë dhe pas anëtarësimit de jure në të.

Transparenca dhe konstruktiviteti kanë qenë tipar themelor i këtij bashkëpunimi Shqipëri – NATO, tipar që u përsos dhe u pasurua më tej, sidomos pas Samitit të Uashingtonit, me krijimin e procesit të Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP).

Shqipëria është bërë vendi i parë dhe i vetëm në botë, i cili ka eliminuar me sukses të gjitha armët kimike. Vizioni perëndimor i veprimit dhe reformave, përqafuar tashmë nga politika dhe mbarë shoqëria shqiptare, si dhe ristrukturimi dhe modernizimi i Forcave tona të Armatosura, na bëjnë gjithnjë e më shumë pjesë të vlerave themelore, mbi të cilat mbështeten strukturat euroatlantike. Miratimi i buxheti të mbrojtjes prej 2% të GDP në 2008 është provë e palëkundur.

Unë vlerësoj se kontributi i vendit tonë në luftën kundër terrorizmit, si në planin individual, ashtu edhe global, nëpërmjet dërgimit të kontigjenteve të forcave tona të armatosura në Irak apo në Afganistan, është pjesë e domosdoshme e programeve aftësuese të strukturave tona ushtarake. Ato duhet të jenë të afta në përballjen me rreziqet e brendshme, rajonale apo globale.

Shqipëria e konsideron procesin e rëndësishëm Adriatik 3 si mekanizmin kryesor integrues-bashkëpunues në hapat drejt NATO-s. Ne mbetemi shumë seriozë në respektimin e këtij programi edhe si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, por duke besuar gjithashtu se ftesa që ne kërkojmë nga Samiti i Bukureshtit do të bazohet sidomos në mekanizmin kryesor për vlerësimin e kandidaturave mbi arritjet dhe performancën individuale të çdo vendi kandidat.

Dëshiroj të nënvizoj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit janë e do të mbeten në vazhdimësi një prioritet i patjetërsueshëm i politikës sonë të jashtme. Ajo është e vetëdijshme për nevojën e forcimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre. Kjo përbën edhe bazën e marrëdhënieve tona me të gjitha këto vende.

Shqipëria është e interesuar në mënyrë jetike për një rajon të stabilizuar, ku të mbizotërojnë paqja dhe bashkëpunimi, si dhe për marrëdhënie të qëndrueshme pozitive me fqinjët e saj. Integrimin e Ballkanit Shqipëria e kupton si parakusht për integrimin në Europë.

Personalisht e vlerësoj përmirësimin e dukshëm vitet e fundit të klimës politike në rajon, reflektuar si në marrëdhëniet dypalëshe, ashtu edhe në ato shumëpalëshe. Fryma e re e bashkëpunimit, mentaliteti i ri dhe kontributet individuale të çdo vendi i shërbejnë krijimit të një imazhi pozitiv të rajonit dhe ridimensionimit të rolit të tij në raport me partnerët kryesorë, vendet e BE-së dhe SHBA, por edhe në kuadër më të përgjithshëm. Ballkani nuk ka më probleme akute dhe shqetësuese për zgjidhje, por procese integruese të nisura të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u përmbyllur. Ai nuk është më fushë e konflikteve të brendshme apo luftrave të nxitura nga jashtë. Përkundrazi vendet e Ballkanit Perëndimor po kthehen çdo ditë në hapësira integruese, bashkëpunuese dhe implementuese të politikave globale të sigurisë dhe të investimeve të mëdha.

Integrimi europian është bërë tashmë gjuha e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit tonë. Pavarësisht arritjeve apo ngadalësimeve individuale, këto vende kanë përpara të njëjtën dhe të vetemen rrugë reformash për qasjen me standardet e vendeve të tjera të BE-së.

Fitorja e Presidentit Tadiç në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ndonëse e ngushtë, përveçse dha një pasqyrë të një ndarjeje politike të dukshme të shoqërisë serbe, i dha atij të drejtën kushtetuese të orientimit evropian të këtij vendi të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor.

Ne të gjithë duhet të interesohemi, të debatojmë dhe të nxisim dimesionin ekonomik të bashkëpunimit rajonal si një paradhomë e domosdoshme e integrimit në Bashkimin Evropian. Traktati mbi Komunitetin Energjitik ka hyrë në fuqi me 1 korrik 2006, ndërsa bashkëpunimi ekonomik ndërmjet vendeve tona bëhet më i lehtë edhe nga hyrja në veprim e Marrëveshjes për “Zhvillimin e një Zone të Tregëtisë së Lirë (CEFTA)” në rajonin e Evropës juglindore.

Personalisht gjykoj se këto procese të rëndësishme rajonale me karakter ekonomik nuk mund të gjejnë zbatim dhe as sukses të plotë nëse ato nuk shoqërohen me reforma liberalizuese të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në rajonin tonë. Lëvizja pa pengesa administrative dhe kufizime ndërkufitare përveç se do të nxisë zhvillimin ekonomik, tregtar dhe turistik, do të ndihmojë procesin e afrimit të popujve, ndërnjohjes së tyre, të cilët, ndonëse fqinjë, prej shekujsh ruajnë akoma mentalitete dhe paragjykime reciproke.

Unë jam optimist se fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për këtë çështje do të japë frytet jo vetëm në raportet me shtetin tonë fqinj, Maqedoninë, por edhe me vendet e tjera të rajonit.

Faktori shqiptar i pranishëm në vendet e rajonit ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, në rritjen e frymës së mirëkuptimit dhe mirëbesimit reciprok me këto vende. Ata shërbejnë si ura të vërteta lidhëse dhe komunikimi midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve. Perspektiva e integrimit rajonal dhe europian presupozon zgjerimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit dhe sa më pak ndarje historike, gjeografike apo etnike.

Në këtë rrjedhë të pandalshme integruese rajonale, roli i faktori shqiptar ka qenë i pazvëndësueshëm. Unë i mbështes dhe i përgëzoj të gjitha qëndrimet dhe mesazhet që përcjellin frymën e bashkëpunimit, integrimit, angazhimit e veprimit institucional, të zhveshura nga retorika nacionaliste dhe konfliktuale. Ato janë shprehje e përgjegjshmërisë së lartë të kontributit të tyre.

Viti 2008 do të ofrojë shumë shpejt një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Ne jemi të përgatitur për këtë. Një Kosovë e pavarur, një shtet me të gjitha tiparet e një subjekti të pavarur ndërkombëtar, i cili do të mbështetet vendosmërisht nga Shqipëria.

Forcova bindjen, sidomos mbas vizitës sime në Kosovë, se Kosova është shumë afër deklarimit të pavarësisë në koordinim të ngushtë me aleatet e saj ndërkombëtarë, se numri i vendeve që do të njohin këtë subjekt të ri politik do të jetë i konsiderueshëm në fillim dhe do të rritet në vazhdim, se Qeveria e Kosovës ka dhënë të gjitha garancitë praktike për respektimin dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare sidomos ato serbe, se pavarësia e Kosovës është çelësi i sigurisë afatgjatë dhe të qëndrueshme në rajon dhe i vëmendjes së investimeve të mëdha të huaja në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pavarësia e Kosovës nuk është më një problem për zgjidhje, ajo është një proces euroatlantik që ka nevojë të mirëkuptohet sidomos nga fqinjët e saj.

Shqipëria do të ndihmojë që Kosova të kapërcejë sa më parë me sukses sfidën e saj të njohjes ndërkombëtarisht, të forcojë stabilitetin e saj të brendshëm ekonomik dhe politik dhe të bëhet pjesë e proceseve integruese të rajonit. Kosova ishte çështja e fundit akoma e pazgjidhur politikisht e një shteti të ndërtuar artificialisht, një Jugosllavie të dështuar, kjo është fitorja e fundit e demokracisë mbi rrënojat ose grahmat e dikataturës në rajon, ky është rikthimi i drejtësisë ndaj historisë së gabuar.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›