Fjalor për gjuhën gjithëpërfshirëse ndaj personave me aftësi ndryshe

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Për të lehtësuar komunikimin me dhe për personat me aftësi të kufizuara si dhe promovuar një gjuhë gjithëpërfshirëse që respekton diversitetin, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Fondacioni ‘SëBashku’ kanë hartuar një fjalorth për gjuhën gjithëpërfshirëse ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Zyra e BE-së në Tiranë, publikoi në rrjete sociale linkun ku gjendet ky fjalor https://rm.coe.int/fjalor-shpjegues-disability…/1680b25a77\\, teksa e cilësoi këtë një hap që i vjen në ndihmë komunikimit me personat me aftësi të kufizuara.
Në vitin 2013 Shqipëria miratoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila solli një ndryshim paradigme në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke theksuar rëndësinë e qasjes bazuar në të drejtat e njeriut për personat me aftësi të kufizuara.
Materiali përbën interes për t’u lexuar dhe për t’u zbatuar në praktikë, veçanërisht, prej punonjësve dhe drejtuesve të të gjitha institucioneve shqiptare në nivel qendror dhe vendor, si prej institucioneve shtetërore, ashtu edhe prej atyre private. Ky Fjalorth u vjen në ndihmë, po ashtu, punonjësve të mediave të shkruara dhe vizive, si një manual orientues për komunikimin etik dhe për raportimin mediatik profesional, të bazuar mbi dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.
Ky fjalorth terminologjik është bazuar në:Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe në Komentet e përgjithshme të Komitetit mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara; Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në lidhje me aftësinë e kufizuar; Strategjia e BE-së për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-20308; Broshurën “Disability-inclusive language guidelines”; (“Udhëzime për gjuhën gjithëpërfshirëse ndaj personave me aftësi të kufizuara”). /j.p/