Forumi Biznes-Doganë: Fokus në transparencë, efikasitet dhe lehtësim të tregtisë ndërkombëtare

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Integrimi europian, transformimi digjital i shërbimeve doganore dhe lehtësimi i procedurave për biznesin ishin në qendër të forumit Biznes-Dogana, të zhvilluar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë (AmCham).
Forumi mblodhi përfaqësues të administratës doganore dhe komunitetit të biznesit për të diskutuar çështje që lidhen me procedurat doganore, klimën e investimeve dhe sfidat e tregtisë ndërkombëtare.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja paraqiti prioritetet strategjike të administratës doganore në kuadër të procesit të integrimit europian. Sipas tij, përafrimi i legjislacionit doganor me acquis communautaire dhe modernizimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit mbeten elementë kyç për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe menaxhimit të riskut.
Nga ana e biznesit, drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj vlerësoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me administratën doganore, duke e konsideruar forumin një mekanizëm të dobishëm për adresimin e problematikave që ndikojnë në aktivitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e tregut.
Ndërkohë, kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave të AmCham, Alketa Uruçi prezantoi çështjet kryesore të ngritura nga bizneset gjatë vitit 2026, duke theksuar nevojën për trajtimin e tyre në mënyrë të qëndrueshme për të garantuar siguri dhe parashikueshmëri për operatorët ekonomikë.
Përfaqësuesit e biznesit evidentuan progresin e bërë nga Administrata Doganore në digjitalizimin e shërbimeve, uljen e kohës së procedurave dhe rritjen e transparencës institucionale, duke vlerësuar se këto masa kanë ndikuar në lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Gjatë forumit u diskutua edhe ecuria e zbatimit të Sistemit të Transitit të Përbashkët me Bashkimin Europian (NCTS), i konsideruar një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave të transitit dhe rritjes së transparencës në shkëmbimet tregtare.
Në këtë kuadër, Administrata Doganore ftoi bizneset anëtare të AmCham të aplikojnë për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), një instrument që ofron lehtësi procedurale dhe avantazhe në tregtinë ndërkombëtare për operatorët që përmbushin standardet e kërkuara.
1 nga 4/a.f/r.e/