E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Front opozitar? Kapri: Berisha duhet të bëjë një hap pas. Zgjidhja vjen nga sheshi

Politikë | 13 minuta më parë

Facebook

Mundësia e krijimit të një fronti të bashkuar opozitar kundër kryeministrit Edi Rama ka qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “Trialog” në RTSH, të drejtuar nga gazetarja Alba Alishani.

I ftuar në panelin e diskutimit, përfaqësuesi i partisë “Mundësia”, deputeti Erald Kapri, u ndal te pozicionimi i opozitës dhe roli i Sali Berishës në këtë proces, duke theksuar se rrethanat politike kanë ndryshuar.

“Berisha mund ta synojë, por ne nuk mendojmë se është koha, momenti politik, që Berisha mund t’i imponohet politikisht”, u shpreh Kapri, duke nënvizuar se “ka ndryshuar momentumi politik, nuk është më i njëjti”.

Zgjidhja politike dhe zgjedhjet lokale

Gjatë debatit u diskutua mbi domosdoshmërinë e dorëheqjes së kryeministrit dhe krijimit të një qeverie tranzitore për të garantuar procese të lira zgjedhore. Ndërsa u ndal te sfidat elektorale më të afërta, Kapri e vu theksin te kryeqyteti si pikë kyçe e përballjes politike.

Sipas tij, “në kushtet që Rama vazhdon e reziston të mos japë dorëheqjen, dhe kemi përballjen e parë lokale, ku Bashkia e Tiranës është një sfidë, ku duket se revolta në Tiranë ka arritur kulmin dhe që ekziston shansi, i sa e sa herëve përpara, që Rama të marrë një mesazh të fortë politik”.

Megjithatë, ai nënvizoi se arritja e këtij rezultati kërkon dëgjimin e zërit të qytetarëve: “Mendoj që zgjidhja duhet të vijë nga sheshi. Nëse nuk dëgjohet revolta e atyre njerëzve, nëse nuk dëgjohet thirrja e madhe për ndryshim, nuk do të ketë atë rezultat”.

Organizimi i protestave dhe kandidaturat

Përfaqësuesi i partisë “Mundësia” hodhi poshtë pretendimet se protestat e fundit udhëhiqen nga politika e vjetër, duke sqaruar se “të gjithë e dimë që kjo nuk është e vërtetë”. Ai i bëri thirrje Berishës të lexojë drejt realitetin e ri politik dhe të tregojë fleksibilitet përballë kandidaturave të ardhshme.

“Nëse është realitet që e njeh, duhet të kuptojë që nuk mund të imponohet politikisht dhe duhet të dëgjojë nevojën e madhe për ndryshim që ka vendi. Pra, si të thuash, të bëjë një hap pas. Duhet të kuptojë këtë gjë: që zgjidhja nuk vjen më nga tryezat politike, por vjen nga sheshi”, deklaroi Kapri.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se forca e tubimeve të tanishme qëndron pikërisht te mos-kapja politike nga askush: “Ne mendojmë që suksesi i kësaj proteste është pikërisht sepse nuk ka një përfaqësi të zgjedhur ose të negociuar. Pra, nuk ka një kokë, nuk ka një bërthamë”.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›