GAZË – Të paktën 21 të vdekur pas sulmeve të fundit izraelite

GAZË, 23 korrik /ATSH/- Më shumë se 100 grupe bamirësie dhe të të drejtave të njeriut thanë sot se bllokada e Izraelit dhe ofensiva ushtarake e vazhdueshme po i çojnë palestinezët në Rripin e Gazës drejt urisë, pasi sulmet izraelite vranë 21 persona të tjerë gjatë natës, sipas zyrtarëve lokalë të Shëndetësisë, sipas AP.
Ndërkohë, i dërguari i administratës Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të takohet me një zyrtar të lartë izraelit në lidhje me bisedimet e armëpushimit – një shenjë se negociatat e nivelit të ulët që janë zvarritur me javë të tëra – mund të kenë progres.
Ekspertët thonë se Gaza është në rrezik nga uria për shkak të bllokadës dhe ofensivës së Izraelit – të nisur në përgjigje të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se Gaza po po përjeton një rritje vdekjeprurëse të kequshqyerjes dhe sëmundjeve të lidhura me të, dhe se rreth 2 milionë njerëz po vuajnë nga uria.
Izraeli tha se ka lejuar ndihma të mjaftueshme në territor ndërsa agjencitë e OKB-së, janë ankuar se po pengohen nga kufizimet izraelite dhe mungesa e sigurisë.
Hamasi ka thënë se do të lirojë vetëm 50 pengjet e mbetura që mban, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë, në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së forcave izraelite.
Izraeli është zotuar se do të rimarrë të gjithë robërit dhe të vazhdojë luftën derisa Hamasi të jetë mposhtur ose çarmatosur. //a.i/