GJERMANI – Qeveria synon përshpejtimin e prokurimit për pajisje ushtarake

BERLIN, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Ushtria gjermane do të jetë në gjendje të blejë pajisje ushtarake shumë shpejt në të ardhmen, sipas një projektligji të paraqitur sot në qeveri.
“Dua të përshpejtojmë prokurimet për ta bërë Gjermaninë më të sigurt”, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius në Berlin.
Sipas projektligjit, ushtria gjermane, Bundeswehr, do të përfitojë nga përjashtime të reja nga ligji për prokurimet publike, për të lehtësuar dhe përshpejtuar ndarjen e kontratave për forcat e armatosura.
Projektligji parashikon rritjen e pragut të vlerës së kontratave që ushtria mund t’i japë drejtpërdrejt. Aktualisht, ky kufi është 15 000 euro, por do të rritet në 50 000 euro, sipas ministres së Ekonomisë Katherina Reiche.
Në sfondin e kërcënimit të vazhdueshëm nga Rusia dhe në përputhje me planin e BE-së për të rritur kapacitetet ushtarake të bllokut, propozimi thekson se blerjet e reja nuk duhet të pengohen nga procedura tepër komplekse apo procese të gjata miratimi.
“Nuk ka shenja që Rusia është e gatshme të përfundojë luftën kundër Ukrainës përmes negociatave,” thuhet në projektligj. “Përkundrazi, deklaratat e udhëheqjes ruse tregojnë se objektivat e luftës së Rusisë shkojnë përtej Ukrainës”.
“Na nevojiten më shumë pajisje ushtarake dhe na nevojiten më shpejt. Kjo mund të arrihet vetëm duke zgjeruar prodhimin,” tha sot Reiche.
Ajo shtoi se Gjermania po merr borxhe të mëdha për të përmirësuar aftësinë e saj mbrojtëse.
“Duhet ta investojmë këtë buxhet në teknologji të reja për mbrojtjen ajrore, aftësi satelitore, dronë, sisteme autonome dhe teknologji me inteligjencë artificiale”, përfundoi ministrja Reiche. /Ad.Ab./