E Hënë, 2 Nëntor 2026

BSH: Kredia për sektorin e turizmit u rrit me 42% në qershor

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Zhvillimi i sektorit të hoteleri turizmit në vendin tonë vitet e fundit ka zgjeruar investimet e biznesit në këtë fushë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat vijoi të rritet më tej gjatë tremujorit të dytë, ku në veçanti huadhënia vijoi të mbetet e fokusuar në nevojat e bizneseve që operojnë në nënsektorët që lidhen me turizmin, për investime.

Portofoli i kredisë për sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor arriti vlerën 1.3 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë në këtë sektor është zgjeruar me 42% duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar për këtë sektor në një muaj të vetëm.

Vitet e fundit, investimet në turizëm po përfshijnë edhe projekte elitare, por edhe ato në agroturizëm që po zhvillohen më së shumti. Këto investime janë nxitur nga lehtësitë fiskale, si edhe të kreditimit.

Rritja numrit të turistëve nga e gjithë bota po nxit sipërmarrjen të shtojë investimet në sektorin e turizmit. Sipas OBT-së, Shqipëria është vendi me rritjen më të lartë në Europë sa i përket rritjes së vazhdueshme të turizmit, industri e cila e ka transformuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas INSTAT vetëm në muajin maj të këtij viti u shënuan mbi 1 milion turistë të huaj që erdhën në Shqipëri ndërkohë që fluksi i tyre është në trend në rritje gjatë pikur të sezonit veror.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›