VARSHAVË – Polonia: Ukraina duhet të përfshihet në çdo marrëveshje paqeje midis Trump dhe Putin

VARSHAVË, 11 gusht /ATSH-DPA/- Polonia ka kërkuar që Ukraina të përfshihet drejtpërdrejt në çdo marrëveshje paqeje me Rusinë, përpara një takimit të planifikuar të premten midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
“Për Poloninë, partnerët tanë evropianë – dhe për të gjithë aleancën e NATO-s – duhet të jetë e qartë se kufijtë kombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë”, tha sot kryeministri polak Donald Tusk në qytetin verior, Bydgoszcz.
Ai shtoi se çdo vendim mbi shkëmbimet e mundshme territoriale ose kushtet e tjera të një marrëveshjeje paqeje duhej të merrej vetëm me pjesëmarrjen e Ukrainës.
Trump dhe Putin do të takohen të premten në shtetin amerikan të Alaskës për të diskutuar një zgjidhje të mundshme për luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt.
Trump e ka paraqitur takimin si një përpjekje për t’iu afruar përfundimit të luftimeve dhe javën e kaluar foli për “shkëmbimin” e pjesëve të territorit – si pjesë e një marrëveshjeje shumë të komplikuar.
Polonia, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga aleatet më të rëndësishme politike dhe ushtarake të Ukrainës.
Vendi është gjithashtu një qendër kyçe logjistike për ndihmën ushtarake perëndimore për Kievin dhe, duke u ndjerë i kërcënuar nga vetë Rusia, po zgjeron forcat e saj të armatosura, duke modernizuar pajisjet dhe përmirësuar infrastrukturën. //a.i/