E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Zelensky bisedime urgjente me 30 vende, ndërsa Trump kërkon marrëveshje të shpejtë paqeje me Rusinë

KIEV, 11 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të zhvillojë bisedime urgjente përmes një videokonference – me udhëheqës dhe zyrtarë nga rreth 30 vende – pjesë e “Koalicionit të të Gatshmëve”, që mbështesin përpjekjet e Kievit për të siguruar kushte të drejta për ndalimin e gati katër viteve të luftës – pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, sipas AP.

duke kërkuar të mbledhë mbështetje për qëndrimin e Kievit për një zgjidhje paqeje si një mbrojtje kundër presionit në rritje nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të arritur një marrëveshje të shpejtë.

Udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës do të marrin pjesë gjithashtu, në takimin e aleatëve të Ukrainës, të quajtur “Koalicioni i të Gatshmëve”.

Zelensky tha se bisedimet ishin urgjente për një zgjidhje paqeje – mes presionit në rritje të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të arritur një marrëveshje të shpejtë – i cili e ka nënçmuar liderin ukrainas, dhe cilësuar udhëheqësit evropianë si “të dobët” dhe ka vendosur një strategji për përmirësimin e marrëdhënieve të Uashingtonit me Moskën.

Përballë kërkesave të Trump për një zgjidhje të shpejtë, qeveritë evropiane po përpiqen të ndihmojnë në drejtimin e negociatave të paqes, duke theksuar se siguria e tyre është në rrezik.

Trump tha dje se ai dhe udhëheqësit evropianë kishin diskutuar propozimet në një lidhje telefonike – duke shtuar se Zelensky duhej të ishte realist – në lidhje me qëndrimin e Ukrainës për një plan paqeje që do t’i lëshonte territor Rusisë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot se ai, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti francez, Emmanuel Macron i kishin sugjeruar Trump që të finalizonin propozimet e paqes së bashku me zyrtarët amerikanë gjatë fundjavës.

“Mund të ketë gjithashtu bisedime në Berlin në fillim të javës së ardhshme, me ose pa zyrtarë amerikanë”, shtoi Merz.

“Çështja kryesore që duhet zgjidhur është çfarë territoresh dhe lëshimesh është e gatshme të bëjë Ukraina”, tha kancelari gjerman.

Puna mbetet e vështirë pasi presidenti rus, Vladimir Putin po vazhdon pa pushim luftën e tij brutale kundër popullsisë civile ukrainase dhe në të njëjtën kohë – po fiton kohë duke zgjatur negociatat”, tha Merz.

“Ka shenja se negociatat po vijnë në një udhëkryq. Bisedimet janë në një moment kritik”, thanë dje udhëheqësit evropianë.

“Javën e ardhshme, Ukraina do të koordinohet me vendet evropiane në nivel dypalësh”, tha Zelensky dje në mbrëmje, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian do të mbajnë një samit të rregullt në Bruksel, në fund të javës së ardhshme.

Zyrtarë të lartë dhe diplomatë të BE-së u takuan sot në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit dhe i dhanë Kievit një listë të gjatë reformash – të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun, pavarësisht luftës së vazhdueshme dhe kundërshtimeve nga vendi anëtar i bllokut, Hungaria.

Anëtarësimi në BE është bërë qëllimi qendror për përpjekjet e Ukrainës për t’u “ankoruar” në Perëndim, ndërsa perspektivat për t’u bashkuar me NATO-n kanë ngecur.

Rusia ka propozime të reja për sigurinë

Përpjekja e fundit e Trump për të ndërmjetësuar një zgjidhje po zgjat më shumë sesa ai dëshironte.

Ai, fillimisht vendosi një afat që Kievi të pranonte planin e tij të paqes para Ditës së Falënderimeve.

Afatet e mëparshme të Uashingtonit për arritjen e një marrëveshjeje paqeje gjithashtu kanë kaluar pa ndonjë progres.

Rusia është gjithashtu e prirur t’i tregojë Trump se po angazhohet në përpjekjet e tij për paqe, duke shpresuar se do të shmangë sanksionet e mëtejshme të SHBA-së.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha sot se Rusia i kishte përcjellë Uashingtonit propozime shtesë … në lidhje me garancitë kolektive të sigurisë – që Ukraina dhe Evropa thonë se janë të nevojshme për të penguar agresionin e ardhshëm.

“Ne e kuptojmë se kur diskutojmë garancitë e sigurisë, nuk mund të kufizohemi vetëm në Ukrainë”, tha Lavrov. Ai nuk dha detaje mbi propozimet e Kremlinit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se, këtë vit Rusia kishte lëshuar mbi 46,000 dronë dhe raketa kundër Ukrainës.

Ai paralajmëroi audiencën e tij evropiane në një fjalim në Berlin: “Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”.

Rutte gjithashtu e përshkroi Kinën si “litarin e shpëtimit të Rusisë” për përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë.

Dronët ukrainas godasin platformën ruse të naftës, ndërpresin fluturimet në Moskë

“Dronët ukrainas, me rreze të gjatë veprimi, sulmuan dje për herë të parë, një platformë ruse nafte në Detin Kaspik”, sipas një zyrtari në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për sulmin dhe foli në kushte anonimiteti.

Platforma e naftës në pjesën veriore të Detit Kaspik, rreth 1,000 kilometra nga Ukraina, i përket kompanisë së dytë më të madhe të naftës në Rusi, “Lukoil”.

Platforma pësoi katër goditje, duke ndaluar nxjerrjen e naftës dhe gazit nga mbi 20 puse.

Ukraina gjithashtu nisi një nga sulmet e saj më të mëdha me dronë të luftës gjatë natës, duke pezulluar fluturimet brenda dhe jashtë të katër aeroporteve të Moskës për shtatë orë.

“Aeroportet në tetë qytete të tjera u përballën gjithashtu me kufizime”, tha autoriteti rus i aviacionit civil “Rosaviatsia”.

Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore kishte kapur 287 dronë ukrainas në rajone të shumta. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›