E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Merz: Po hapet një mundësi e re për diplomacinë mes Ukrainës dhe Rusisë

BERLIN, 15 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu sot optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e arritjes së përparimit diplomatik në luftën në Ukrainë, ndërsa u nis drejt samitit të G7 që po zhvillohet në qytetin francez të Evianit, pranë Liqenit të Gjenevës.

“Ky samit zhvillohet në një moment veçanërisht të trazuar për politikën globale. Situata na paraqet sfida, por gjithashtu na ofron edhe mundësi”, deklaroi Merz para nisjes së tij për në Francë.

Sipas kancelarit gjerman, Ukraina ndodhet tashmë në një pozicion më të fortë se më parë, ndërsa Rusia nuk do të jetë në gjendje ta fitojë luftën me mjete ushtarake. Ai shtoi se ekonomia ruse po përballet me vështirësi serioze.

“Për herë të parë, mund të jetë duke u hapur ngadalë një dritare mundësie për diplomacinë”, tha Merz, duke lënë të kuptohet se kushtet për rifillimin e negociatave mund të jenë më të favorshme se në të kaluarën.

Javën e kaluar, Merz u takua në Londër  me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar mënyrat se si mund të ushtrohet presion ndaj presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës.

Liderët diskutuan gjithashtu nevojën urgjente për rritjen e prodhimit të armëve mbrojtëse dhe forcimin e kapaciteteve të Ukrainës për goditje në thellësi të territorit armik.

Kancelari Merz bëri të ditur se këto propozime do të diskutohen edhe me presidentin amerikan Donald Trump gjatë samitit të G7, ku pritet të marrë pjesë edhe Zelensky.

Sipas kancelarit gjerman, këto nisma mund të përbëjnë “hapat e parë të një iniciative të re diplomatike” që do të përfshinte Ukrainën, Rusinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuaran të në përpjekjet për të arritur negociata paqeje. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›