GJERMANI – Merz premton mbështetje shtesë për Ukrainën

BERLIN, 9 korrik /ATSH-DPA/ Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka premtuar mbështetje shtesë për Ukrainën – për të forcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore në luftën kundër Rusisë.
Duke folur sot pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Berlin, Merz tha se çështja do të diskutohet në një videokonferencë të të ashtuquajturit “koalicioni i të gatshmëve”.
Ky grup përbëhet nga rreth 30 vende që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus.
“Në veçanti, do të merret vendim për sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, dhe unë do të bëj gjithashtu oferta të përshtatshme që mund t’i zbatojmë nga Gjermania”, tha ai.
Merz përshëndeti gjithashtu vendimin e fundit të SHBA-së për autorizimin e dërgesave të reja të armëve mbrojtëse në Ukrainë.
“Jam në komunikim të mirë me presidentin amerikan, Donald Trump për këtë çështje”, tha ai.
Gazeta “Wall Street Journal” raportoi se, në kuadër të sulmeve masive ruse javët e fundit, Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të një tjetër sistemi të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Kiev.
Kjo do të ishte hera e parë që ai miraton transferimin e një sistemi të madh armësh drejt Ukrainës.
“Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me një numër rekord dronësh”, njoftuan sot Forcat Ajrore të Ukrainës. /Ad.Ab./ /a.i/