SHBA – Trump njofton tarifa të reja tregtare për gjashtë vende të tjera

UASHINGTON, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump dërgoi sot letra për gjashtë vende të tjera, duke njoftuar vendosjen e tarifave të reja të larta që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Trump i publikoi këto letra në platformën e tij “Truth Social”, ku iu drejtohej liderëve në Filipine, Brunei, Moldavi, Algjeri, Irak dhe Libi .
Njoftimi vjen vetëm dy ditë pasi Trump u dërgoi letra edhe 14 vendeve të tjera, përfshirë aleatëve kryesorë si Japonia dhe Koreja e Jugut, duke i paralajmëruar për tarifa më të larta nëse nuk arrihej një marrëveshje e re tregtare.
Algjeria, Libia dhe Iraku do të përballen me tarifa prej 30%, Brunei dhe Moldavia me 25% ndërsa Filipinet me 20%.
Trump nisi prezantimin e rregullave të reja tarifore për mallrat që hyjnë në SHBA – që prej ditës së hënë, kur gjithashtu njoftoi zgjatjen me 90 ditë të “tarifa reciproke” që i shpalli për herë të parë, më 2 prill.
Këto tarifa kanë shkaktuar shqetësim të madh në bordet drejtuese të kompanive dhe në disa vende.
Megjithatë, investitorët duket se e kanë pritur me qetësi lajmin, pasi bursat amerikane kanë vijuar të rriten.
Trump tha dje se do t’i qëndrojë afatit të 1 gushtit, duke shkruar në Truth Social: “Nuk do të ketë zgjatje të afatit”. /Ad.Ab./ //a.i/