LONDËR – Macron: Marrëdhënia e ngushtë BM-Francë një “ndryshues i lojës”

LONDËR, 9 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se marrëdhënia e Francës me BM-në ishte një “ndryshues i lojës” – ndërsa u takua me kryeministrin britanik, Keir Starmer për bisedime mbi çështje që përfshinin krizën e emigrantëve.
Britania e Madhe ka kërkuar veprime më të ashpra nga autoritetet franceze në zonat përgjatë kanalit të La Manshit, ndërsa Macron ka sugjeruar se nevojiten përpjekje për të reduktuar “faktorët” që tërheqin emigrantët.
Kryeministri britanik Starmer mirëpriti sot presidentin francez, Macron në rezidencën e tij në Downing Street – përpara samitit të BM-Francë të planifikuar nesër – ku marrin pjesë ekipe ministrore nga të dy vendet.
“Qoftë për mbrojtjen dhe sigurinë, qoftë për Ukrainën, qoftë për tregtinë dhe ekonominë, mundësitë e biznesit, mbrojtjen, ne mendojmë njësoj, punojmë së bashku dhe mendoj se marrëdhënia BM-Francë është aq e fortë sa ka qenë gjithmonë”, tha Starmer.
Macron tha se Britania e Madhe dhe Franca do të ndërtonin lidhje më të forta dhe do të hidhnin hapa të mëdhenj përpara në sektorin e mbrojtjes, të sigurisë, teknologjisë, ekonomisë – si dhe në kulturë, arsim, kërkim.
“Partneriteti dhe miqësia midis BM-së dhe Francës është një ndryshim i madh jo vetëm për Evropën, por për shumë nga këto çështje”, shtoi ai.
Starmer shpreson të arrijë një marrëveshje për të kthyer emigrantët me varka të vogla sërish në kontinent, në këmbim të pranimit të azilkërkuesve në Evropë që kanë një lidhje me Britaninë e Madhe.
Krahas bisedimeve në Downing Street, dy liderët pritet të marrin pjesë në një pritje me bizneset e BM-së dhe Francës dhe në një aktivitet në Muzeun Britanik. //a.i/