MOSKË – Kremlini “i qetë” pas shpërthimit të Trump ndaj Putinit

MOSKË, 9 korrik /ATSH-DPA/- Udhëheqja ruse tha se nuk ishte e shqetësuar nga gjuha e ashpër e presidentit të SHBA-së Donald Trump kur bëhej fjalë për presidentin Vladimir Putin.
“Jemi mjaft të qetë për këtë”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Retorika e Trump është karakterizuar gjithmonë nga një stil mjaft i ashpër dhe megjithatë Rusia po mbështetet në vazhdimin e dialogut me SHBA-në”, tha ai
Trump kritikoi ashpër Putinin, një ditë pasi autorizoi dërgesat e reja të armëve mbrojtëse në Ukrainë.
“Jam i pakënaqur me presidentin rus, Vladimir Putin për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë, pasi shumë nga të vrarët janë ushtarë rusë”, tha dje presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Po na thuhen shumë budallallëqe prej tij. Putin është shumë i sjellshëm gjatë gjithë kohës, por kjo rezulton të jetë pa kuptim”, tha ai.
Ai shtoi se po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës. Ndërkohë, një mbështetje të gjerë po merr në Senat – projektligji “Akt i Sanksioneve ndaj Rusisë 2025”, që parashikon tarifa 500% ndaj naftës, gazit dhe uraniumit rus.
Trump tha se po e sheh me shumë seriozitet këtë projektligj.
Kievi tha se Rusia kishte lëshuar një numër rekord dronësh në Ukrainë, si dhe raketa hipersonike brenda 24 orëve.
Sipas Peskov, trupat ruse kanë bërë progres në krijimin e një “zonë tampon” në Ukrainë, për të pushtuar territorin përgjatë kufirit në vendin fqinj.
Zona tampon është një kërkesë e re nga Putini, përveç zonave që Moska beson se Ukraina duhet t’i lëshojë, duke përfshirë katër territore në lindje dhe gadishullin e Krimesë.
“Moska pret që Kievi të propozojë një datë për raundin e ri të negociatave në Stamboll”, tha Peskov.
Deri më tani, negociatorët rusë dhe ukrainas janë takuar dy herë në Bosfor, por nuk ka pasur progres për t’i dhënë fund luftës.//a.i/