Balla i përgjigjet Blushit: Ferit Hoxha diplomat karriere, sulmet ndaj tij janë personale

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot në Kuvend ndaj deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili i kërkoi presidentit të mos e zhvillojë ceremoninë e betimit të Ferit Hoxhës si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, Blushi u shpreh se 17 vite më parë, si kryenegociator, Hoxha firmosi marrëveshjen e detit me Greqinë sipas kërkesave të palës greke.
“Nga ana tjetër nxiste qëndrime të ashpra kundër marrëveshjes së detit. Ferit Hoxha është identik në raport me identitetin dhe mbrojtjen e interesit kombëtar si Kryeministri Rama. Në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Lulzim Bashës i priu negociatave me Greqinë për firmosjen e marrëveshjes së detit”, tha Blushi.
Duke replikuar ndaj Blushit, Balla kritikoi sulmet ndaj ambasadorit Hoxha, duke theksuar se ato nuk i bëjnë mirë debatit parlamentar dhe se janë personale.
Ai vlerësoi karrierën diplomatike të Hoxhës, duke kujtuar se ka shërbyer si ambasador në administrata të ndryshme dhe është dekretuar tri herë në këtë detyrë nga ish-presidenti Ilir Meta.
“Sulmet ndaj ambasadorit Hoxha, i cili në kulm të karrierës së tij u vlerësua me pozicionin më të lartë hierarkik brenda Ministrisë së Jashtme, atë të ministrit të Jashtëm, nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se Hoxha është një diplomat karriere që ka punuar me të gjitha qeveritë dhe administratat politike në vend, duke shtuar se vlerësimi për punën e tij është dhënë edhe nga qeveritë e djathta.
Balla u ndal edhe te akuzat lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë, duke theksuar se në asnjë rast përgjegjësia për marrëveshje të tilla nuk bie mbi përfaqësuesit teknikë, por mbi drejtimin politik.
Sipas tij, marrëveshja e detit e vitit 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së Partisë Socialiste në atë kohë, përbën një nga fitoret më të rëndësishme politike të kësaj force.
Në fund të fjalës së tij, Balla i kërkoi opozitës të distancohet nga sulmet personale ndaj diplomatëve, duke vlerësuar kontributin e ambasadorit Hoxha në përfaqësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe pranë Bashkimit Europian në Bruksel.
/m.m/j.p/