Kundërshtoi zgjedhjen e Joni Ketës në krye të BKH, Administrativja rrëzon padinë e Gentian Ndojit

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Shkalla e Parë e Gjykatës Administrative ka certifikuar sot zgjedhjen e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke rrëzuar padinë e paraqitur nga zyrtari i policisë, Gentjan Ndoj.
Ky i fundit kishte kundërshtuar procedurën e përzgjedhjes, duke pretenduar se emërimi i Ketës ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ai vetë kishte rezultuar i pari në të gjitha testet e zhvilluara gjatë procesit.
Pavarësisht pretendimeve, Gjykata Administrative, pas shqyrtimit të çështjes, e konsideroi të ligjshme procedurën e ndjekur për emërimin e Ketës në krye të BKH-së.
Në garën për drejtimin e BKH-së morën pjesë 13 kandidatë, nga të cilët 7 iu nënshtruan të gjitha fazave të vlerësimit, përfshirë kontrollin e figurës dhe pasurisë, testin psikologjik, poligrafinë, esenë me shkrim dhe intervistën përpara komisionit të posaçëm.
Në përfundim të procesit, Keta u propozua nga komisioni dhe më pas u miratua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 9 dhjetor 2025, me 11 vota pro dhe asnjë kundër, për një mandat 5-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Votimi u zhvillua në prani të përfaqësuesve të ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. BKH kishte mbetur pa drejtues për disa muaj pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnaj, për shkak të vonesave në procesin e verifikimit të kandidatëve.
/gj.m/r.e/a.f/