GJKKO dënon me burg deputetin Qani Xhafa, i konvertohet në gjobë

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 9 muaj burg deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa, për kryerjen e veprës penale: “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt“.
Nga gjykimi i shkurtuar, dënimi iu zbrit në 6 muaj burgim dhe në përfundim, gjyqtarja e çështjes Irena Gjoka, e konvertoi atë në 9 mijë euro gjobë, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë, e cila duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga palët brenda 15 ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Nga hetimet e SPAK rezultoi se në muajin mars të vitit 2023, deputeti Xhafa teksa drejtonte në gjendje të dehur një makinë “Toyota”, shkaktoi një aksident në Elbasan duke goditur një shtyllë elektrike.

/m.q/a.f/r.e/