E Martë, 3 Nëntor 2026

Mahila: Shqipëria, partnere e besueshme për standardet e BE-së në azil dhe migrim

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA) në Valleta, Maltë.

Zv.ministri Mahila ishte pjesë e panelit të nivelit të lartë politik si përfaqësues i Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, por edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, në diskutimin me temë “Migrimi dhe Azili në një udhëkryq: Ku shkojmë nga këtu?”.

Mahila nënvizoi se si vend kandidat, Shqipëria po punon ngushtë me EUAA-në për të zbatuar Udhërrëfyesin 2024–2027, me qëllim forcimin e sistemit të saj të azilit dhe pritjes në përputhje me Sistemin e Përbashkët Evropian të Azilit dhe standardet e BE-së.

Ai nënvizoi se “Shqipëria i vlerëson përpjekjet e BE-së për të balancuar detyrimet ligjore dhe nevojat operacionale në terren”.

“Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin, i miratuar në vitin 2024, përfaqëson një moment kyç për drejtësi, solidaritet dhe përgjegjësi në qasjen evropiane ndaj migracionit. Shqipëria e mirëpret këtë zhvillim si një hap drejt krijimit të një baze të qëndrueshme dhe të drejtë për menaxhimin e flukseve migratore dhe kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Mahila theksoi se “suksesi i Paktit do të varet nga tre elementë kryesorë: transparenca në ndarjen e përgjegjësive; bashkëpunimi efektiv midis shteteve anëtare dhe partnere; si dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë, veçanërisht midis vendeve në kufijtë e jashtëm dhe vendeve të destinacionit.

“Ky besimi do të ndërtohet nëse solidariteti dhe detyrimet respektohen në mënyrë reciproke. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme dhe e përkushtuar ndaj standardeve evropiane dhe e gatshme të kontribuojë në zgjidhje të përbashkëta”, nënvizoi ai.

1 nga 3

/m.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›