GREQI – Katër migrantë vdesin në brigjet e Lesbosit

LESBOS, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën katër migrantë kanë vdekur në det, pranë ishullit grek të Lesbosit.
”Shtatë persona të tjerë, që thuhet se janë burra nga Sudani, të cilët ishin në bordin e anijes janë shpëtuar, ndërsa kërkimi për persona të tjerë të mundshëm të zhdukur vazhdon”, sipas transmetuesit publik grek ERT, që citon rojen bregdetare.
Erëra të forta kanë përfshirë rajonin, të cilat mund të kenë ndihmuar në shkaktimin e aksidentit dhe kanë penguar operacionin e kërkim-shpëtimit, përfshirë disa anije të rojes bregdetare, një helikopter dhe grupe kërkimi në tokë.
Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), më shumë se 30 000 refugjatë dhe migrantë kanë kaluar Mesdheun drejt Greqisë deri më tani këtë vit.
Shumica e tyre nisen në udhëtimin e rrezikshëm nga bregu perëndimor i Turqisë ose nga Libia./ /os/