PRAGË – Presidenti Pavel i ngarkon miliarderit Babis detyrën e formimit të qeverisë

PRAGË, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti çek, Petr Pavel i ka ngarkuar ish-kryeministrit miliarder Andrej Babis detyrën e formimit të qeverisë, tha një zëdhënës presidencial, pas një takimi midis dy udhëheqësve në Pragë.
Partia populiste e krahut të djathtë ANO e Babisit fitoi 34,5% të votave në zgjedhjet parlamentare në fillim të tetorit, duke u shfaqur si partia më e fortë në Dhomën e Ulët dhe duke e vendosur atë në rrugën e kthimit në pushtet.
Babis po kërkon një koalicion ose mbështetje të heshtur parlamentare nga dy parti me prirje të djathta.
Negociatori i ANO-s, Karel Havlíçek u përpoq të qetësonte shqetësimet se partia mund të mbështeste një referendum për largimin nga BE ose NATO.
“Ne ramë dakord që anëtarësimi ynë në BE dhe NATO nuk mund të vihet në dyshim”, tha ai duke shtuar se “në të njëjtën kohë, ne kemi deklaruar se do të jemi një lojtar shumë i sigurt në BE”.
Babis më parë shërbeu si kryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Tensionet janë rritur pas raportimeve se Partia e Motoristëve, e cila kundërshton heqjen graduale të motorëve me djegie të planifikuar nga BE-ja, mund të marrë kontrollin e Ministrisë së Mjedisit në kabinetin e ri.
Më shumë se 700 shkencëtarë nënshkruan një apel të përbashkët kundër këtij veprimi, dhe grupet mjedisore paralajmëruan se kjo mund të çojë në “shkatërrimin” e ministrisë, si dhe në dëmtimin e natyrës dhe sektorëve të qëndrueshëm ekonomikë.
Së bashku, ANO, Motoristët dhe SPD mbajnë 108 nga 200 vendet në Dhomën e Ulët.
Parlamenti i ri është planifikuar të mblidhet më 3 nëntor./ a.jor.