MOSKË – Rusia akuzon Trumpin për tërheqje nga marrëveshja për paqen

MOSKË, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për braktisjen e parimeve të dakordësuara në bisedimet e Alaskës, pasi Trump bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftimeve në Ukrainë.
Në një intervistë Lavrov tha se ”fokusi i ri i Trump në një armëpushim të shpejtë shënoi një ndryshim rrënjësor”.
Lavrov argumentoi se në Alaska Trump kishte thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje ishte qëllimi, jo një ndalesë e menjëhershme e luftimeve.
Lavrov pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin kishte pranuar qëndrimin e SHBA-së në Alaska si bazë për negociata të mëtejshme, duke përshkruar një paqe të qëndrueshme në vend të një armëpushimi të përkohshëm si elementin “më të rëndësishëm” të këtij qëndrimi.
Trump tha në Alaska, ku priti Putinin në gusht, se ”një paqe e qëndrueshme do të ishte e preferueshme ndaj një armëpushimi”, por në momente të ndryshme ka bërë thirrje gjithashtu për një pauzë në armiqësi për të lejuar negociatat drejt një zgjidhjeje përfundimtare.
Moska ka kërkuar vazhdimisht që një armëpushim të bëhet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje – një qëndrim që vëzhguesit perëndimorë e konsiderojnë si një taktikë vonuese që synon përdorimin e presionit ushtarak për të forcuar pozicionin negociues të Rusisë./ /os/