KIEV – Zelensky pret plan paqeje nga aleatët brenda disa ditësh

KIEV, 27 tetor /ATSH -DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pret që aleatët perëndimorë të paraqesin një propozim të përmbledhur paqeje në ditët e ardhshme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, raportoi sot media amerikane “Axios”.
Në një intervistë të dhënë dje, Zelensky tha se “Koalicioni i të Gatshmëve”, një aleancë prej rreth 35 shtetesh e udhëhequr nga Britania dhe Franca, po punon për të hartuar “disa pika të shpejta” brenda “javës ose 10 ditëve të ardhshme”.
Megjithatë, presidenti ukrainas shprehu skepticizëm se presidenti rus Vladimir Putin do të ishte i gatshëm ta pranojë një marrëveshje të tillë.
Pas takimit të zhvilluar të premten e kaluar në Londër nga “Koalicioni i të Gatshmëve”” kryeministri britanik Keir Starmer konfirmoi po ashtu se aleanca është duke punuar për një plan paqeje.
Iniciativa vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump kërkoi ngrirjen e konfliktit në vijën aktuale të frontit, një propozim që Ukraina e ka pranuar, së bashku me mbështetësit e saj evropianë.
Por Moska këmbëngul që forcat ukrainase të tërhiqen plotësisht nga rajoni lindor i Donetskut, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2022 dhe që ende nuk e kontrollon tërësisht.
“Për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave, nevojiten sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë dhe furnizimi i Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi”, tha Zelensky për “Axios”. /Ad.Ab./