GjJERMANI – Zelensky në Berlin përpara samitit Rusi-SHBA

BERLIN, 13 gusht /ATSH –DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr do të jetë sot në Berlin për të marrë pjesë personalisht në videokonferencat lidhur me takimin e ardhshëm në Alaskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas burimeve qeveritare, Zelensky pritet të mbërrijë në kryeqytetin gjerman rreth mesditës, ku kancelari Friedrich Merz do ta presë në zyrën e tij.
Videokonferencat me liderët evropianë janë iniciuar nga Merz, me qëllim përcaktimin e një pozicioni të përbashkët me Trump para takimit të tij të premten me Putinin.
Plani parashikon që aleatët evropianë të Zelenskyt të zhvillojnë bisedimet në orën 14:00.
Përveç Merzit, priten të marrin pjesë edhe liderët e Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë dhe Finlandës, si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Rreth një orë më vonë, do të mbahet një diskutim i dytë me Trump dhe nënpresidentin amerikan JD Vance.
Qeveritë evropiane shprehin frikën se bisedimet me rrezik të lartë mes Trump-it dhe Putin-it mund të çojnë në lëshime territoriale ndaj Rusisë, gjë që Kievi e ka refuzuar në mënyrë kategorike. Trump e ka përshkruar takimin në Alaskë si një përpjekje për t’iu afruar fundit të luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt. /Ad.Ad./.