E Hënë, 2 Nëntor 2026

HUNGARI – Orban: Zelensky e ka humbur këtë luftë

BUDAPEST, 13 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha sot se Ukraina e ka humbur luftën kundër Rusisë – përpara takimit midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin të planifikuar të premten në Alaskë.

“Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka humbur këtë luftë”, tha ai në një intervistë.

“Po flasim sikur kjo të ishte një situatë lufte me një fund të hapur”, tha udhëheqësi hungarez, duke shtuar se ky vlerësim ishte i rremë.

“Ukrainasit e kanë humbur këtë luftë, Rusia e ka fituar luftën”, theksoi Orban.

Orban, i cili ka vënë veton vazhdimisht ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë – për shkak të luftës në Ukrainë, pretendoi se Kievi nuk do të kapitullonte për sa kohë që furnizohej me armë dhe fonde nga partnerët perëndimorë.

“Përndryshe kjo luftë do të kishte mbaruar shumë kohë më parë”, tha politikani i krahut të djathtë.

Budapesti refuzoi të nënshkruante një deklaratë të përbashkët nga 26 aleatët e saj të Bashkimit Evropian që mirëprisnin përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Deklarata kërkonte që të sigurohej integriteti territorial i Ukrainës”, tha ai, duke shtuar se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë.

Orban, duke justifikuar refuzimin e qeverisë së tij për të mbështetur deklaratën, tha se ajo vendos kushte për negociata në të cilat udhëheqësit e BE-së as nuk ishin ftuar.

Takimi dypalësh midis Trump dhe Putin, i planifikuar të zhvillohet në Alaskë të premten, ka ngjallur frikë në Kiev dhe në pjesën tjetër të Evropës se dy udhëheqësit mund të arrijnë një marrëveshje – që do ta detyronte Ukrainën të bënte lëshime territoriale – një veprim që Zelensky e ka përjashtuar kategorikisht. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›