E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjendet arsenal armësh i murosur në një banesë në Vlorë

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Në murin e një ndërtese të pabanuar në Vlorë, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, ndërsa në hetim ka vënë një 67-vjeçar.

Policia e Vlorës njoftoi sot se “në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak”.

Sipas policisë “në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak”.

“Armët dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim të mëtejshëm, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale” njoftoi policia.

Policia bëri të ditur se “nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore”.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›