E Martë, 3 Nëntor 2026

KANADA – Merz: Optimist se SHBA do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë

KANANASKIS, 18 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz është shprehur optimist se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin presionin mbi Rusinë në mënyrë që ta bindin vendin të negociojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Përpara largimit të tij nga samiti i G7, në Kananaskis, Kanada – Merz tha se shpresonte që SHBA-ja do të merrte, së shpejti një vendim për vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë.

Të hënën, udhëheqësi gjerman theksoi se nuk ishin vendosur sanksione të reja amerikane që kur Trump ishte kthyer në pushtet, në janar.

Trump nuk është treguar i gatshëm për të vendosur më shumë sanksione ndaj Moskës pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian.

“Sanksionet na kushtojnë shumë para. I kushtojnë shumë para SHBA-së”, tha Trump.

Komisioni Evropian propozoi dje një ndalim të plotë të importeve të gazit rus në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027.

Deklarata e Merz erdhi pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje SHBA-së të shtrëngonte sanksionet kundër Rusisë.

“Për të sjellë Rusinë në tryezën e negociatave dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duhet të rritet presioni”, tha Von der Leyen në një konferencë për shtyp. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›