Gjykata Kushtetuese rrëzon Metën

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Në vendimin e GJK-së thuhet se instanca më e lartë e drejtësisë në vend lë në fuqi vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Gjykatës së Lartë, duke çuar në lënien në qeli të Ilir Metës.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se lidhur me mënyrën e arrestimit të Metës, të cilin ky i fundit e cilëson si çnjerëzor, nuk mund ta marrë në shqyrtim pasi çështja është nën hetim.
Njëherësh, Gjykata Kushtetuese u shpreh se masa e sigurimit personal ndaj Metës është vendosur për një qëllim të ligjshëm, duke rrëzuar kërkesën e tij.
Gjykata konstatoi, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit.
Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindnin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm.
GJK cilësoi se “masa e sigurimit personal ndaj Metës është e vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të KPP-së për caktimin e saj”.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës.
Në një reagim në rrjete sociale, Meta u shpreh se nuk është aspak i surprizuar nga “Gjykata e Lanës”, siç e cilësoi ai, duke shtuar se pasi e zvarriti çështjen për 6 muaj, edhe sot tregoi se nuk di që të zhgënjejë.
/e.i/r.e/a.f/