E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata e Lezhës dënon me 12 vite burg 38-vjeçarin nga Miloti për vjedhje dhe marrëdhënie me të mitur

Gjykata e Lezhës ka dënuar me 12 vite burg Simon Gjokën, 38 vjeç, banues në Milot, i cili u arrestua fillimisht për vjedhje bagëtish, por gjatë hetimeve u zbulua se kishte pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 18 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjoka përfitoi uljen e 1/3 së dënimit dhe do të vuajë 12 vite heqje lirie për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.

Pavarësisht mohimeve të tij gjatë procesit gjyqësor, trupi gjykues e shpalli fajtor në të dy akuzat. Në dëshminë e vajzës 13-vjeçare, e marrë në prani të nënës dhe psikologut, ajo ka deklaruar se kishte lidhje me të pandehurin dhe se gjithçka kishte ndodhur “me dëshirë”. Vajza ka shtuar se Gjoka e kishte prezantuar me persona të tjerë, duke ngritur dyshime për shfrytëzim për prostitucion.

Në telefonin e të miturës u gjetën foto intime që i ishin dërguar të pandehurit, i cili kishte marrëdhënie miqësore me nënën e saj – një grua që shiste qirinj pranë kishës së Shna Ndout në Laç.

Simon Gjoka u arrestua në shkurt 2025, pasi hetimet zbuluan përfshirjen e tij në vjedhjen e bagëtive të trasha në fshatin Gajush, si dhe dyshohet për disa raste të tjera vjedhjesh në zonat përreth. Gjatë përgjimeve të telefonit të tij, policia konstatoi komunikime komprometuese me të miturën, çka çoi në zgjerimin e hetimeve dhe ngritjen e akuzës së dytë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›