E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria prezanton projektin ‘Identiteti Digjital’, Koçiu: Inovacioni është ura e padukshme që na lidh me të ardhmen dhe me Bashkimin Evropian

Qeveria shqiptare ka prezantuar zyrtarisht projektin e Identitetit Digjital, një nismë që synon të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, biznesin dhe njëri-tjetrin, duke e bërë jetën më të lehtë, më të sigurt dhe më transparente.

Gjatë aktivitetit të prezantimit, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për modernizimin e vendit dhe integrimin europian.

Albana Koçiu, theksoi se projekti i Identitetit Digjital, është një nismë që synon të transformojë mënyrën se si qytetarët shqiptarë ndërveprojnë me shtetin, biznesin dhe njëri-tjetrin.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu e cilësoi këtë si një hap domethënës në rrugën e Shqipërisë drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike.

“Sot prezantojmë një projekt që prek çdo qytetar shqiptar. Një hap përpara që ndryshon mënyrën sesi ndërveprojmë me shtetin, bankën, biznesin dhe me njëri-tjetrin,” u shpreh ministrja.

Identiteti Digjital, sipas saj, nuk është një detyrim evropian, por një nevojë shqiptare për të lehtësuar dhe siguruar jetën e qytetarëve.

“Inovacioni është ura e padukshme që na lidh me të ardhmen dhe me Bashkimin Evropian,” tha Koçiu.

Ministrja solli shembuj konkretë nga aeroportet evropiane, ku sportelet tradicionale po zëvendësohen me sisteme inteligjente që njohin fytyrën dhe verifikojnë identitetin në pak sekonda.

Identiteti Digjital, tha ministrja, nuk është një detyrim evropian, por një nevojë shqiptare për të lehtësuar dhe siguruar jetën e qytetarëve.

“Inovacioni është ura e padukshme që na lidh me të ardhmen dhe me Bashkimin Europian,” tha Koçiu.

Duke përshkruar funksionalitetin e portofolit digjital, Koçiu tha se “Imagjinoni portofolin digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, me një klikim janë të gjitha dokumentet personale, gati për t’u përdorur kudo në çdo vend të Evropës. Me këtë portofol, në pak sekonda çdo qytetar mund të thotë ‘ky jam unë’, pa radhë, pa vonesë.”

“Kjo nuk është një pjesë e shkëputur nga një film shkencor, por një realitet i ri. Kemi hyrë në një epokë ku Evropa po avancon gjithmonë e më shumë nga identiteti fizik në atë digjital,” theksoi ajo.

Sipas saj, për shtetin kjo nismë nënkupton shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci dhe më shumë transparencë. Për biznesin, do të sjellë më shumë besim dhe efikasitet.

“Identiteti Digjital lidhet me të dhënat biometrike, gjurmët e gishtave, njohjen e fytyrës dhe nënshkrimin elektronik. Deri në vitin 2027, ai do të jetë pjesë e portofolit evropian të identitetit digjital, duke i lejuar qytetarët ta përdorin identitetin e tyre në çdo vend të BE-së.”

Ministrja Koçiu theksoi gjithashtu se Shqipëria është vendi i parë në rajon që ofron më shumë se 1200 shërbime qeveritare, mbi 95% të totalit të shërbimeve publike – në mënyrë digjitale, 24 orë në ditë, përmes portalit e-Albania.

Sipas saj, ky sistem i ri nuk është thjesht një mjet identifikimi, por çelësi për një epokë të re të sigurisë dhe aksesit të lehtë në shërbime publike dhe ekonomike për qytetarët dhe ky hap përforcon angazhimin e qeverisë për një Shqipëri më të digjitalizuar dhe efikase.

Ministrja përmendi gjithashtu edhe projektin Smart City.

“Përtej Identitetit Digjital, Ministria e brendshme po vijon zbatojë hap pas hapi një program të ndërtuar rreth qytetarit dhe nevojave të tij të përditshme. Po krijojmë një shtet që sheh, dëgjon dhe reagon në kohë reale. I referohem projektit si Smart City i cili përmes kamerave inteligjente do të bëjë të mundur një monitorim të pandërprerë të hapësirave publike në 20 qytete kryesore të vendit”, tha ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›