E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tragjedia e Maliqit – Soba me dru ose shkrepëset e ndezura, dy pistat e hetimit për rastin e zjarrit

Një ditë pas tragjedisë që tronditi qytetin e Maliqit, ku një nënë dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën ndërsa vajza 6-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Policia dhe shërbimi zjarrfikës po punojnë për të përcaktuar shkakun e ngjarjes, ndërsa komuniteti i tronditur i Maliqit është mbledhur për të ndihmuar familjen që për vite me radhë është përballur me vështirësi të mëdha ekonomike.

Shefi i shërbimit zjarrfikës të Maliqit, Sadik Halili, tha se njoftimi për zjarrin u mor rreth orës 13:30 nga salla operative e policisë. Halili konfirmoi se grupi hetimor po punon për të zbuluar shkakun e ngjarjes, duke hetuar dy pista: sobën me dru të ndezur dhe disa fije shkrepëseje të gjetura në dysheme.

“Zjarr nuk ka pasur brenda në banesë. Ne i kemi gjetur përjashta dy fëmijët, edhe djalin, edhe vajzën. Djali ka qenë i pavetëdijshëm, kurse vajza ka qenë e vetëdijshme dhe te dera e kuzhinës kemi gjetur nënën e tyre në gjendje të asfiksuar. Për momentin kemi dy versione, se brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru zjarri e ndezur dhe poshtë në dysheme kemi gjetur disa shkrepëse të ndezura,” tha shefi i shërbimit zjarrfikës.

Ndërkohë, dëshmitarja e parë, Xhemile Kapari, tregon se vajza e vogël ishte në oborr, e mbuluar nga bloza dhe e djegur, ndërsa djali u gjet pa shenja jete brenda në korridor.

“Kur hapa derën, atje ishte sikur ishe futur në një kazan me ujë të zier. Kur i ramë derës me këmbë, e hapëm derën. Djalka qe shtrirë barkas,” tregoi banorja.

Vajza 6-vjeçare ndodhet në situatë kritike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›