E Enjte, 5 Nëntor 2026

Goditi nënën 10 herë me thikë dhe u vetëdorëzua, dëshmia e të afërmve: Veprim i pafalshëm! Ajo e rriti e vetme!

Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin shqiptar në Itali, ku një 21-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij 39-vjeçare, Meleqe Lusha, në banesën e tyre në qytetin e Chiari, në provincën e Breshias.

Autori i dyshuar, Eduart Xhani, u paraqit mëngjesin e kësaj dite në një kazermë të karabinierëve në Kremona, me rroba të njollosura me gjak, ku deklaroi: “Unë e vrava nënën time, ju e gjetët në shtëpi”.

Deklarata e tij vuri në lëvizje autoritetet, të cilat shkuan në banesën në Via Tagliata, ku zbuluan trupin e pajetë të 39-vjeçares.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 21-vjeçari dyshohet se e ka goditur nënën rreth dhjetë herë me thikë në pjesën e sipërme të trupit, gjatë natës, përpara se të largohej nga banesa dhe të endej për disa orë, deri në momentin kur vendosi të dorëzohej në polici. Pas marrjes në pyetje, gjyqtarja e Breshias, Laura Matrone, lëshoi urdhër ndalimi ndaj të riut, i cili u dërgua në burgun e Canton Mombello, rreth 12 orë pas dorëzimit të tij.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin shqiptar të zonës, ku familja ishte e njohur dhe e integruar në jetën sociale të qytetit. Denis Beqiri, president i Shoqatës Shqiptare në Chiari, është shprehur i tronditur nga ajo që ka ndodhur, duke e përshkruar 21-vjeçarin si një djalë të sjellshëm dhe të përkushtuar.

“Eduarti ishte një shembull për komunitetin. Nuk do ta kishim imagjinuar kurrë një ngjarje të tillë. Ka bërë një veprim të pafalshëm. Nuk arrijmë ta kuptojmë”, është shprehur Beqiri për mediat italiane.
Ai ka treguar se i riu kishte kryer një praktikë në agjencinë e tij imobiliare, pas përfundimit të studimeve në institutin “Einaudi” në Chiari

Back to top button

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›