Gonzato në tryezën e “Zgjedhores”: Reforma për financimin e partive, kusht për integrimin në BE

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore zhvilloi sot (3 mars), një tryezë dëgjimore për projektligjin mbi financimin e partive politike.
I pranishëm në takim ishte edhe Ambasadori i Bashkimi Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili vlerësoi frymën konstruktive të dialogut mes bashkëkryetarëve të komisionit dhe theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore në këtë fazë kritike.
Ai theksoi se interesi i BE-së për këtë proces lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke nënvizuar se reforma zgjedhore nuk është thjesht një proces ligjor, por një domosdoshmëri demokratike.
“Jam shumë mirënjohës që më zgjodhët të marrë pjesë në këtë tryezë shumë të rëndësishme. Kur u takova me dy bashkëkryetarët kohët e fundit, u inkurajova nga qasja konstruktive e tyre. Në kontekstin aktual politik, fryma e dialogut për këtë reformë, është thelbësore. Reforma duhet të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve, dhe standardin e ndërkombëtarëve. Interesimi për këtë çështje vjen në kohë kritike, pasi lidhet me integrimin. Kjo çështje është kyçe për Shqipërinë. Ndaj, kemi këtë kohë apo afat dhe trysni për komisionin. Reforma zgjedhore është nevojë demokratike. Besimi në zgjedhje është me shumë rëndësi. Qytetarët duhet të kenë besim te zgjedhjet. Kur burimet e financimit janë të paqarta dhe mbikëqyrja është e dobët, besimi te këto institucione është i minuar. Mirëpres mirëkuptimin midis bashkëkryetarëve që reforma duhet të përmbush jo vetëm pritshmëritë e qytetarëve por edhe standardet ndërkombëtare”, u shpreh Gonzato.
Gonzato shtoi se financimi transparent i partive dhe fushatave zgjedhore mbetet një përparësi vendimtare në kuadër të standardeve dhe kornizës së BE-së, duke e cilësuar këtë reformë si kyçe për rrugën europiane të Shqipërisë.
“Interesi i BE në punën e komisionit është i dukshëm por do ta shpjegoj sepse vjen në një kohë kritike sa i takon procesit të anëtarësimit BE. Reforma zgjedhore nuk është një proces ligjor por është një nevojë demokratike dhe besimi në zgjedhje është besimi në vet demokraci. Vet qytetarët duhet të kenë besim të plotë se konkursi politik ka qenë i ndershëm dhe i pandikuar nga ndikime të padrejta. Financimi është parakusht për procesin e antëraskimit në BE dhe sidomos reforma zgjedhore për sa i përket financimit të fushatave mbetet një përparësi vendimtare në kuadër të kornizës së BE dhe për këtë lidhet ngushtë më themeloret”, tha ai.
/rtsh.al/