Mes krizës në Lindjen e Mesme, Merz takohet sot me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të takohet sot me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington tre ditë pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Vizita e dytë e Merzit në Shtëpinë e Bardhë që nga marrja e detyrës 10 muaj më parë ishte planifikuar prej kohësh, por lufta në Lindjen e Mesme pritet të dominojë takimin në Zyrën Ovale.
Bloomberg shkruan se sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit mund ta pengojë Friedrich Merz të arrijë dy qëllimet e tij kryesore në bisedimet e së martës me Donald Trump në Uashington: sigurimin e më shumë qartësisë mbi politikën tregtare amerikane dhe bindjen e presidentit që të jetë më i ashpër me Rusinë.
Ashtu si aleatët e tjerë evropianë të NATO-s të SHBA-së, Gjermania nuk është e përfshirë në sulmet ndaj Iranit.
Merz ka mbështetur gjerësisht sulmet amerikane-izraelite, ndërsa e ka bërë të qartë se trupat gjermane nuk do të përfshihen dhe ka shprehur shqetësim për pasojat e mundshme.
Megjithatë, ai shprehu gjithashtu mirëkuptim për veprimin ushtarak dhe shmangu kritikat e drejtpërdrejta.
Pas bisedimeve në mëngjes, Merz dhe Trump pritet të zhvillojnë një drekë pune. Fillimisht, temat kryesore të diskutimit pritej të ishin mosmarrëveshja doganore me SHBA-në, lufta ruse kundër Ukrainës dhe politika e të dy vendeve ndaj Kinës – çështje që mund të trajtohen ende gjatë takimit.
Vizita e parë e Merzit në Uashington në fillim të qershorit 2025 – ndryshe nga vizitat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky apo presidentit të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa – ishte harmonike. Trump e quajti Merzin “një njeri të mirë” dhe premtoi se SHBA-ja do të ketë një “marrëdhënie të shkëlqyer” me Gjermaninë.
/rtsh.al/