Goditet me thikë në zemër, shpëton pas ndërhyrjes 14-vjeçari
Durrës- Ka shpëtuar për mrekulli falë një ndërhyrjeje kirurgjikale një 14-vjeçar, që u plagos me thikë gjatë një zënke me bashkëmoshatarët. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shijak, ku djali u përfshi në një sherr për motive krejt banale, zënkë adoleshentësh.
Sipas specialistëve goditja me thikë i kishte çarë paretet e zemrës dhe për të fillimisht nuk kishte asnjë shpresë. Fëmija Shaqir D. nga Shijaku iu nënshtruar sot një ndërhyrjeje në Durrës, pas goditjes së rëndë me pasoja për jetën.
Kirurgët kanë hapur cipën veshëse të mureve të zemrës dhe pasi kanë parë se thika i kishte depërtuar tejpërtej duke hapur plagë vdekjeprurëse në murin e zemrës kanë vendosur të qepin zgavrën e hapur.
“Ka qenë fat i madh si për ne edhe për vet djalin pasi ai kishte grupin zero të gjakut dhe në bankën e gjakut në spitalin tonë kishte njësi të tilla”,-ka thënë kirurgu Dalip Çela, duke shtuar se ndërhyrja ka zgjatur më shumë se 3 orë.
Sipas tij, vetëm 20 për qind e rasteve të tilla mund t’i shpëtojnë vdekjes pasi prekja e murit të zemrës është shumë delikate dhe hemorragjia e gjakut nuk i jep kohë mjekut të ndërhyjë.