E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greva e naftëtarëve, kërkohet reagimi i Avokatit të Popullit, BE dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Dhjetë ditë pas nisjes së grevës së urisë, punonjësit e kompanisë “Bankers Petroleum” i janë drejtuar edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të parandaluar pasojat më të rënda për shëndetin dhe jetën e tyre.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, naftëtarët e  zhvendosën protestën para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të negociuar rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë iu bashkuan grevistëve duke shprehur solidaritetin e tyre me ta, teksa u bënë pjesë e këtij tubimi.

Më herët në mëngjes, grevistët bënë një tubim para zyrave të “Bankers” në Fier.

Kreu i Sindikatës, Dritan Shahu, denoncoi presionet e kompanisë, duke thënë se punonjësit janë fotografuar dhe filmuar gjatë protestave, një praktikë që sipas tij është përdorur edhe më parë.

“Shëndeti i dhjetë anëtarëve të këshillit sindikal po përkeqësohet dita-ditës, por ata mbeten të vendosur për të çuar kauzën deri në fund”, tha Shahu.

Grevistët Sotiraq Dano dhe Dorjan Dylmishi theksuan se nuk do të ndalen, edhe nëse kjo do të rrezikojë jetën e tyre, duke treguar shqetësimin për mungesën e mbikëqyrjes së inxhinierëve në fushën naftëmbajtëse.

Inxhinierët e rinj, Valter Nukaj dhe Arti Barjami, thanë se punojnë prej vitesh pa asnjë rritje page dhe pa vlerësim për përpjekjet e tyre.

Mes protestuesve ishte edhe Renato Tahaj, inxhinier i sigurimit teknik, i cili shtoi se greva nuk është për lëmoshë. Sipas tij, kompania ka ofruar vetëm një shtesë simbolike, ndërsa dietat ushqimore janë të pamjaftueshme.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›