Grup pune mes 3 bashkive dhe Universitetit të Gjirokastrës për zhvillim të qëndrueshëm vendor

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, zhvilloi mbledhjen e parë të grupit të punës Bashki–Universitet, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga bashkitë Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, pedagogë të Universitetit dhe aktorë vendas.
Nisma synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet qeverisjes vendore dhe Qendrës së Kërkimit të Universitetit, duke krijuar një platformë të përbashkët për analiza të bazuara në të dhëna dhe hartimin e rekomandimeve politike. Grupi i punës pritet të ndihmojë bashkitë në adresimin e sfidave lokale dhe në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Zëvendësrektorja e Universitetit të Gjirokastrës, Merita Isaraj theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ure të strukturuar ndërmjet botës akademike, institucioneve vendore dhe studentëve, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një hallkë të munguar për nxitjen e zhvillimit vendor në qark.
Ndërkohë, menaxheri i projektit, Elton Qëndro, prezantoi sfondin e nismës, e cila mbështetet në një studim fizibiliteti të vitit 2025, si dhe paraqiti planin operativ të punës për fazat në vijim.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan mbi strukturën dhe funksionimin e Grupit të Punës, identifikuan fushat prioritare si qeverisja mjedisore, zhvillimi i ekonomisë lokale dhe menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe ranë dakord për hapat e ardhshëm, që përfshijnë mbledhjen e të dhënave, analizën dhe hartimin e dokumenteve të politikave.
Ky bashkëpunim ndërtohet mbi mbështetjen e vazhdueshme të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për procesin e decentralizimit dhe reformën e qeverisjes vendore në Shqipëri, duke promovuar partneritete me botën akademike dhe përfshirjen e të rinjve në kërkime të aplikuara.
/gj.m/j.p/r.e/