Guri takon ministren franceze të Bujqësisë, në fokus bashkëpunimi dypalësh dhe integrimi në BE

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Shqipëria përfaqësohet në Salon International de l’Agriculture, në Paris, një nga panairet më të rëndësishme ndërkombëtare për bujqësinë dhe industrinë ushqimore, ku prezantohen praktikat më të mira, teknologjitë inovative dhe produktet tradicionale nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë kuadër, zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri zhvilloi një takim me ministren e Bujqësisë dhe Sovranitetit Ushqimor të Francës, Annie Genevard, ku diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural.
Zëvendësministri Guri theksoi nevojën për mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian, duke u fokusuar veçanërisht në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kapitujt 11, 12 dhe 13. Këto kapituj lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe standardeve në fushën e bujqësisë, politikës veterinare, sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të peshkimit, si dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe praktikave të qëndrueshme të prodhimit.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mundësia e formalizimit të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet ministrive përkatëse, i cili do të mundësojë hapa konkretë në zhvillimin e projekteve dypalëshe, shkëmbimin e ekspertizës, promovimin e produkteve tradicionale dhe forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve.
Përfaqësimi i Shqipërisë në Salon International de l’Agriculture është një mundësi e rëndësishme për të promovuar produktet bujqësore dhe agroturistike shqiptare, për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të integruar vendin më tej në rrjetet evropiane dhe globale të zhvillimit rural dhe të bujqësisë së qëndrueshme.
1 nga 2/e.xh/r.e/